Protesta për vaksinat – Shpërthen zemërimi kundër politikave të BE

Italia dhe komisioni evropian kryesuan samitin global të shëndetit vetëm pak ditë më parë, ku u premtua vaksinimi i të gjithë botës në mënyrë të barabartë. Por në Romë, kjo nismë nuk është mirëpritur aspak dhe është shoqëruar më protesta.


Demonstruesit i quajnë hipokrite sjelljet e politikanëve duke kërkuar që t’i jepet fund pasurimit të kompanive farmaceutike dhe të marrë prioritet jeta dhe shëndeti i njerëzve.

“Kërkojmë që të garantohen të drejtat shëndetësore njësoj për të gjithë, në të gjithë botën. Kjo çështje është parësore dhe nuk duhet të renditet pas interesave politike apo tregtare.”

“Është një turp, një krim ndaj njerëzimit që Bashkimi Europian ka përvetësuar patentat e vaksinave. Politika duhet të bëhet me popullin dhe ta konsiderojë vaksinën si një armë për të luftuar pandeminë. Ajo që po ndodh realisht është pasurimi pa kriter i kompanive farmaceutike.”

Me parullat ‘vaksina për të gjithë’ protestuesit në kryeqytetin italian kanë bërë thirrje që kompanitë farmaceutike të lëshojnë patentat për vaksinat kundër COVID-19.

Me ta u bashkuan edhe protestuesit pro-palestinezë për të dënuar përshkallëzimin e fundit të dhunës midis Izraelit dhe Gazës.

Italia ka në plan të hapet edhe për turistët e vendeve jo anëtare të BE, gjatë kësaj jave. Kushdo që është imunizuar me një vaksinë të miratuar nga agjencia rregullatore, është shëruar nga sëmundja ose ka marrë një rezultat negativ të testit 48 orë para udhëtimit, do të lejohet të hyjë në vend pa kufizime. Kjo nuk vlen për ata që vijnë nga vendet të cilat renditen në listën e zezë të Italisë.