×
  • Lajme
  • Botë

    Serbia kishte dënuar edhe Presidentin e Francës me 20 vite burg për krime lufte

    Reporteri
    21 Mars 2019 | 8:18
    Një gjykatë në Beograd, më 21 shtator të vitit 2000, kishte gjetur fajtorë për krime lufte edhe liderët botërorë. Për secilin prej tyre, dha nga 20 vite burgim për bombardimet e NATO’s kundër Jugosllavisë gjatë kohës së luftës në Kosovë.


    Gjyqi, që u mbajt katër ditë, në përpjekje për të ringjallur ndjenjën anti-NATO në Jugosllavi, ishte fushatë para zgjedhore e presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

    Rreth 100 spektatorë dhe media janë lejuar të hyjnë në Gjykatën e Qarkut në Beograd (e enjte), derisa kryetari i trupit gjykues, Veroljub Raketic i lexonte akuzat dhe dënimet.

    Avokatët e caktuar nga gjykata ishin të punësuar për të përfaqësuar të pandehurit, pasi ata nuk ishin të pranishëm në sallë, e që u dënuan në mungesë.

    Derisa përmendeshin emrat e liderëve botërorë për dënim me burg, turma mbante emrat e tyre në pllakata, duke i ngritur ato në secilin emër të përmendur dhe duke duartrokitur.

    Në mesin e të dënuarve ishin Presidenti Bill Clinton, Sekretarja e Shtetit, Medeleine Albright, Sekretari i Mbrojtjes në SHBA, Willim Cohen, kancelari gjerman, Gergard Shrwder, kryeministri britanik Tony Blair, presidenti Zhak Shirak, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO’s, Havier Solana, si dhe komandanti i NATO’s i cili ishte në pension, gjenerali Wesley Clark, shkruan Gazeta Express.

    “William Cohen dënohet në mungesë me dënim maksimal prej 20
    vjet burgim”, thoshte gjykatësi. E kështu bëri për secilin lider botërorë të
    asaj kohe – të gjithë i dënoi me 20 vite burgim.

    Udhëheqësit botërorë u akuzuan për krime lufte, e që Gjykata i ndërlidhte me bombardimet 78 ditore të NATO’s në Serbi.

    Gjykatësi, Veroljub Raketic tha se të akuzuarit paraprakisht ishin të njoftuar, por ata zgjodhën ta injoronin gjykatën – i dënoi në mungesë. Ai gjithashtu i urdhëroi të pandehurit ta paguajnë koston e gjykimit.

    Raketic gjithashtu shpalli fajtor NATO’n për vdekjen e 546 ushtarëve të ushtrisë jugosllave, duke përfshirë edhe 138 policë serbë dhe 504 civilë – 88 prej tyre fëmijë.

    Në po atë kohë, Millosheviqi kishte bërë fushatë me slogane anti-NATO, duke thënë se do ta ringjallë shpresën e rindërtimit pas bombardimeve. Kjo “shpresë” që e dha Millosheviqi, më vonë u shndërrua në vota.

    Prokuroria në Beograd kishte thënë se në momentin që palët shpallen fajtorë, ata do të arrestohen kurdo që shkojnë në Serbi.

    Akuzat, të listuara në aktakuzën me 120 faqe, kishte të përfshirë edhe nxitjen e një lufte agresive dhe kryerjen e krimeve kundër popullatës civile, si dhe përdorimin e mjeteve të paligjshme të luftës, tentim vrasje dhe shkelje e integritetit territorial të Jugosllavisë.

    Gjatë gjykimit, u shfaqën edhe pamjet e bombardimeve të NATO’s në Serbi. Ky gjykim vlen të theksohet se përfundoi pa dëshmitarë për këto bombardime, e për këtë çështje gjykatësi tha se “e gjithë Jugosllavia e di. Salla e gjykatës nuk është aq e madhe sa t’i zë të gjithë dëshmitarët”.

    Qeveria jugosllave kishte pretenduar se NATO ka shkelur të drejtën ndërkombëtare kur urdhëroi bombardimet e civilëve – një akt që rezultoi me vdekje të shumta, lëndime trupore dhe shkatërrim të pronës.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!