×
  • Lajme
  • Botë

    SHBA ndalon udhëtimet nga Brazili

    Reporteri
    25 Maj 2020 | 11:25

    Amerika ka ndaluar të gjitha llojet e udhëtimit të shtetasve joamerikanë që kanë qenë në Brazil. Mbi 650 persona humbën jetën nga sëmundja infektive në shtetin latin një ditë më parë ndërsa 15 mijë të tjerë u diagnostikuan rishtas me Covid-19.


    Brazili është i vendi i dytë në botë me numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus.

    Për të shmangur përhapjen e infeksionit në territorin e vet, Shtetet e Bashkuara njoftuan të dielën se do të ndalojnë të gjitha llojet e udhëtimit nga shteti latin duke nisur nga data 28 maj.

    Me urdhër të presidentit Donald Trump, kufizimet do të aplikohen për shtetasit joamerikanë që kanë vizituar Brazilin në dy javët e fundit, ndërsa personat që disponojnë kartën e gjelbër, kanë të afërmit në Amerikë apo janë pjesëtarë të ekuipazheve të avionëve do të përjashtohen nga masat.

    Ministria e Jashtme e Brazilit tha se e mirëkupton vendimin dhe kufizime të ngjashme zbatojnë edhe autoritetet vendëse në bazë të kritereve pandemike, ndaj lajmi nuk cenon bashkëpunimin mes vendeve.

    Javën e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli Amerikën Latin qendrën e re të pandemisë.

    Brazili raporton mbi 360 mijë bartës të koronavirusit dhe më shumë se 22 mijë viktima nga sëmundja infektive.

    Republika federale ka mbyllur aktualisht kufijtë e vet tokësorë dhe ka ndalur udhëtimet nga vendet me norma të larta të infeksionit.

    Të dielën mbështetësit e presidentit Zhair Bolsonaro iu drejtuan sërish rrugëve për të kërkuar heqjen e masave dhe rifillimin e aktiviteteve ekonomike.

    Kreu i shtetit, ish-oficer ushtarak, është nga qortuesit më të fortë të kufizimeve ndërsa vetë vazhdon të mbetet në qendër të skandaleve politike, më i fundit për ndërhyrje politike në organet policore të vendit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!