×
  • Lajme
  • Botë

    Terroristi i ISIS-it thotë se është takuar shpesh me shërbimin sekret të Erdoganit

    Reporteri
    15 Prill 2019 | 15:01

    Një anëtar i ISIS-it, i cili tashmë ndodhet në një burg në Irak, ka thënë se si përfaqësues i Shtetit Islamik ka bashkëpunuar ngushtë me Turqinë.


    Burri që prezantohet me emrin Abu Mansour, thotë se detyra e tij si përfaqësues i Shtetit Islamik ishte që t’i mbante marrëdhëniet me shërbimin sekret turk.

    Ai është inxhinier dhe ka prejardhje nga Maroku. Thotë se iu bashkua ISIS-it në vitin 2013. ISIS-i kishte pesë persona që njiheshin si figura të larta për lehtësimin e kalimeve kufitare. Këta njerëz i lejonin trafikantët të hyjnë në Turqi dhe t’i sillnin luftëtarët e huaj në Siri. Abu Mansour dëshmon se ua ka mundësuar 165 njerëzve që të udhëtojnë nga provinca jugore turke e Hatayt drejt Atimas së Sirisë, ku shërbente si roje kufitare.

    Sidoqoftë, duket se ai e kishte vazhduar këtë punë edhe më tutje. “Fillimisht i regjistroja imigrantët. Më pas iu bashkova mbikëqyrësit dhe mora një pozitë më të lartë në ISIS, e njohur si emir”, thotë marokeni.

    Ai u ngarkua edhe me punë diplomatike. Sipas tij, ai ka shërbyer si ndërmjetës për komunikim mes shërbimit të ISIS-it për inteligjencë dhe shërbimit sekret turk, MIT.

    Abu Mansour thotë se ka pasur shumë takime me njerëzit e shërbimit sekret turk, por edhe me përfaqësues të ushtrisë turke. “Nganjëherë takoheshim çdo javë, varësisht nga zhvillimet që ishin duke ndodhur”, thotë ai.

    Këto takime mbaheshin afër kufirit me Sirinë, kryesisht në Ankara ose Gaziantep. “Kur e kaloja kufirin e Sirisë me Turqinë, ata e dërgonin një veturë për të më mbrojtur. Të gjitha takimet ishin për interesin e përbashkët”, shtoi Mansour.

    Sipas tij, kontaktet e autoriteteve turke me përfaqësuesit e ISIS-it nuk ishin të kufizuara vetëm në aparatin shtetëror të sigurisë. Këtu ishin përfshirë edhe zyrtarë të qeverisë. “Një zyrtar turk i inteligjencës më tha se presidenti Erdogan dëshiron të më takojë në një hapësirë private, por një gjë e tillë nuk ndodhi asnjëherë”, tha ai, shkruan “20Minuten”, transmeton Express.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!