Videoja në YouTube flet se si serbët mund të bëhen mercenarë ushtarak të Vladimir Putinit në Ukrainë

Vendet perëndimore dhe NATO-ja janë mobilizuar për ta ndaluar Vladimir Putinin që ta nisë një luftë të re në Ukrainë.


Përkundër kësaj, kriminelë serbë të luftërave në ish-Jugosllavi, po bëjnë thirrje për forcimin e radhëve luftarake separatiste ruse.

Njëri nga qindra serbët, të cilët shërbejnë si mercenarë lufte në krah të forcave pro-ruse është Dejan Beriq.

Ai ishte pjesëtar i forcave pushtuese kriminale serbe në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Kurse, që nga viti 2014, Beriq gjendet në mesin e forcave separatiste proruse në Ukrainë.

Beriq përmes rrjeteve sociale, publikisht, tregon mënyrat se si serbët mund t’i bashkëngjiten forcave pushtuese ruse në Ukrainë.

Në YouTube, kanali i tij ka afër 7 mijë ndjekës.

“Nëse dëshironi të vini në Donbas, duhet që t’i bëni të gjitha analizat e nevojshme; teste në gjak; të mos jeni alkoolist, pra të mos pini; teste për sëmundje të transmetueshme seksualisht; testin e tuberkuozës, pastaj testin e psikologut dhe disa teste të tjera”, ka thënë ai në njërë nga videot e fundit.

Ai ka vazhduar më tej, duke specifikuar edhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me ata që duan të jenë pjesëtarë të forcave të Putinit.

“Pastaj shkoni në seksionin ushtarak. Iu caktojnë se ku duhet të shërbeni. E nënshkruani marrëveshjen për një vit. Do të thotë është minimum, një vit. Marrëveshja mund të jetë edhe për 3 apo 5 vite. ‘Armata Popullore e Republikës së Donjeckut dhe Luganskit’ është Armata ku shërbejnë ushtarët sipas marrëveshjes. E bëni marrëveshjen dhe pagesën diku rreth 200 euro”, thotë Beriq në videon e tij në YouTube.

Krimineli i luftërave serbo-ruse Dejan Beriq, në një intervistë më të hershme, kishte deklaruar “Kosova është në zemrat tona dhe, kur të vjen koha, ne do ta kthejmë atë!”

“A mund të shkojë presidenti i Serbisë në Kosovë pa lejen e pushtetit në Kosovë. Nuk mundet. Kryeministri nuk mundet, as Policia dhe Ushtria e Serbisë. Do të thotë Kosova nuk është serbe, në letër. Megjithatë, Kosova është në zemrat tona. Ashtu siç e kanë marrë paraardhësit tanë nga turqit, kur të vijë koha, ne do ta marrim nga shqiptarët. E koha do të vijë sigurisht. Më e rëndësishmja është që ne mos ta heqim nga zemra Kosovën. T’i mësojmë fëmijët tanë, që ata pastaj t’ua bartin fëmijeve të tyre. Kjo ndoshta nuk do të jetë e mundshme për 10, 15 apo 20 vjet. Ndoshta do të jetë gjenerata tjetër ajo që do ta marrë Kosovën. Unë do të doja që unë ta ktheja gjersa kam fuqi, në mënyrë që të rinjtë tanë të mos vriten. Do të thotë, që ne që jemi më të vjetër, veteranët e luftës në Serbi, që askush s’i respekton, mund të japim diçka si të fundmen për ta kthyer Kosovën”, ka thënë mercenari serb i Putinit, Dejan Beriq.