×
  • Lajme
  • Botë

    Xhamitë në mbarë botën mbulohen me lule, shpërndahen mesazhe paqeje: “Ju duam”

    Reporteri
    16 Mars 2019 | 8:42

    Shumë xhami në Zelandën e Re dhe në mbarë botën janë mbuluar me lule, me mesazhe përkrahëse dhe thirrje për paqe pas masakrës në Christchurch të Zelandës së Re, ku u vranë 49 myslimanë.

    Reagimet më të mëdha kanë ardhur pikërisht nga shteti ku ndodhi sulmi. Masakra e ditës së premte është më e madhja që është shënuar ndonjëherë në historinë e Zelandës së Re.

    Ndonëse e kishin të pamundur për të hyrë në xhami për shkak se ato ishin të rrethuara nga policia, shumë njerëz kanë lënë lule dhe mesazhe paqeje pranë hyrjeve të tyre.

    Lule janë lënë pranë një xhamie në kryeqytetin e Zelandës së Re, Wellington. Njerëzit e mbledhur para kësaj xhamie kanë shkruar me shkumës në trotuare mesazhe mbështetëse për myslimanët.

    Skena të njëjta ka pasur edhe në qytetin më të madh të këtij shteti, Auckland. Mbështetja për këtë komunitet ka qenë aq e madhe, saqë njerëzit që janë mbledhur pranë xhamive nuk kanë pasur vend ku t’i parkojnë veturat e tyre. Në letrat e lëna pranë luleve shihen mesazhet “Ju duam”, “Jemi një” dhe “Të ndryshuar përgjithmonë”.

    Reagime emocionale ka pasur edhe në Australi, ku në shumë xhami janë vendosur lule. Philip Dalidakis, politikan australian, e ka ofruar mbështetjen e tij për myslimanët përmes një oferte. Ai ka thënë se do t’i shoqërojë gjatë rrugës drejt xhamive të gjithë ata që frikësohen për të shkuar vetë atje.

    Mesazhe mbështetëse për myslimanët janë dhënë edhe në Britani të Madhe dhe Kanada. Shumë njerëz i kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për ta ofruar publikisht përkrahjen e tyre për komunitetin mysliman në vendet ku jetojnë, shkruan “The Guardian”, transmeton Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!