Banka Botërore parashikon rritje ekonomike prej 4 për qind në Kosovë më 2021

Pas një recesioni historik, pritet të ketë rimëkëmbje graduale ekonomike në Kosovë dhe në Ballkan, ka thënë raporti më i ri i Bankës Botërore. Sipas këtij raporti, në Kosovë rritja ekonomike do të jetë mbi 4 për qind.


“Rimëkëmbja ekonomike do të jetë graduale edhe në Kosovë: në përputhje me trendin global, aktiviteti real do të arrijë nivelet para-pandemike vetëm në 2022. Rimëkëmbja do të udhëhiqet nga një rritje e eksporteve dhe e konsumit. Rritja ekonomike parashikohet të mbetet në mbi 4 përqind në periudhën afatmesme. Perspektiva e parashikuar bazohet mbi supozimet e relaksimit të kufizimeve të lëvizjes së udhëtarëve ndërmjet Evropës dhe Kosovës, pa masa të mëtejshme të rrepta të lëvizjes për frenimin e pandemisë në vend, një ringjallje të rritjes në Eurozonë, dhe një rritje në çmimet e metaleve bazë dhe mineraleve”, thuhet në raportin e BB-së.

BB-ja ka thënë se aktiviteti ekonomik në Kosovë më 2020 u tkurr për 6.9 për qind, për shkak të rënies së eksportit të shërbimeve – lidhur me diasporën – investimeve kapitale dhe konsumit privat.

Raporti thekson se aktiviteti ekonomik pritet të rritet më 2021, por rreziqet globale dhe të brendshme janë të konsiderueshme. Te këto rreziqe është përfshirë prokurimi dhe shpërndarja e vaksinave si dhe rivendosja e masave të rrepta për frenimin e pandemisë.

Ky raport ka thënë se në Ballkanin Perëndimor më 2020 të gjitha vendet përjetuan rënie ekonomike, ndërsa rritja më 2021 do të jetë rreth 4.4 për qind.

Rritja pritet të rigjallërohet në 2021, por rreziqet janë të konsiderueshme. Rimëkëmbja ekonomike do të jetë graduale: në përputhje me trendin global, aktiviteti real do të arrijë nivelet para-pandemike vetëm më 2022. Rimëkëmbja do të udhëhiqet nga një rritje e eksporteve dhe e konsumit. Rritja në eksportet e mallrave do të duhej të jetë e fortë në periudhën afatmesme, sepse çmimet e metaleve bazë pritet të rriten. Me lehtësimin e kufizimeve të udhëtimit ndërkombëtar dhe përshpejtimin e prokurimit dhe administrimit të vaksinave në Evropë, eksportet e shërbimeve do të duhej të rimëkëmbeshin gjithashtu nga një rimëkëmbje e shpenzimeve turistike të diasporës. Konsumi privat pritet të kontribuojë në rritje, i nxitur nga mbështetja e vazhdueshme e politikës fiskale, ndikimi i tërheqjeve nga llogaritë e pensioneve në FKPK-së, dhe një rimëkëmbje e të ardhurave të disponueshme në 2021.

Kapitalizimi i mëtejshëm i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe rritja e tavanit të mbulimit me garanci gjithashtu do të duhej të mbështesin rimëkëmbjen. Perspektiva e parashikuar bazohet në supozimet e lëvizshmërisë së relaksuar ndërmjet Evropës dhe Kosovës, pa masa të mëtejshme të rrepta për frenimin e pandemisë në nivelin lokal, një rimëkëmbje të rritjes në Eurozonë dhe një rritje në çmimet e metaleve bazë dhe mineraleve. Rritja ekonomike parashikohet të mbetet mbi 4 për qind në periudhën afatmesme, por rreziqet ndaj parashikimit janë të larta. Në 2021 dhe më tej, një përkeqësim eventual i pandemisë që kërkon medoemos rivendosjen e masave të rrepta për frenimin e pandemisë, vendosja e kufizimeve të reja të udhëtimit ndërkombëtar, dhe rritja më e ulët sesa ajo e parashikuar në BE, të gjithë këta faktorë mund të rëndojnë mbi rritjen dhe shpejtësinë e rimëkëmbjes. Ekziston gjithashtu një potencial për rritje më të lartë, përmes zbatimit më të shpejtë të investimeve publike të financuara nga institucionet financiare ndërkombëtare (IFI).