Një grup i vogël ligjvënësish, diku rreth një viti më parë, ishin mbledhur privatisht me synimin për të mbajtur larg lobistëve të TikTok-ut diskutimet që parandalonin një projektligj që mund të ndalonte këtë aplikacion, përkthen gazeta online Reporteri.net raportin e The New York Times.
Pak më shumë se një vit më parë, disa ligjvënës dypartiakë u bashkuan për të diskutuar rreth TikToku-t dhe shefit ekzekutiv Shou Zi Chew, për lidhjet e këtij aplikacioni me Kinën.
Pyetjet e tyre të ashpra sugjeruan se Washingtoni po përgatitej për të detyruar kompaninë të ndërpresë lidhjet me pronarin kinez, ose edhe të ndalojë tërësisht aplikacionin.
Pastaj ndodhi kryesisht heshtja… Në publik rodhën shumë pak informacione nga komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve që mbajti këtë seancë, dhe në Senat dështoi një propozim për të mundësuar administratën të detyronte një shitje ose ndalimin e TikTok-ut.
Por në prapaskenë, një grup i vogël ligjvënësish filluan të komplotojnë një përpjekje të fshehtë që arriti kulmin gjatë kësaj jave, të mërkurën, kur Presidenti Joe Biden nënshkroi një projektligj që detyron TikTok-un të shitet nga kompania kineze ByteDance, ose rrezikon të ndalohet. Masa, të cilën Senati e miratoi të martën vonë, përmbys të ardhmen e një aplikacioni që pretendon 170 milionë përdorues në Shtetet e Bashkuara dhe që prek pothuajse çdo aspekt të jetës amerikane, transmeton Reporteri.net.
Dhoma e Përfaqësuesve miraton ligjin kundër pronësisë kineze të TikTok-ut
Për gati një vit, ligjvënësit dhe disa nga ndihmësit e tyre punuan për të shkruar një version të projektligjit, duke fshehur përpjekjet e tyre për të shmangur pengimin e fuqisë lobuese të TikTok-ut. Për të mbrojtur ligjin nga sfidat e pritshme ligjore dhe për të bindur ligjvënësit e pasigurt, grupi punoi me Departamentin e Drejtësisë dhe Shtëpinë e Bardhë.
Dhe faza e fundit – një garë në tavolinën e presidentit që bëri që disa ndihmës t’i vinin nofkën “Thunder Run” – u zhvillua në shtatë javë nga momenti kur u prezantua publikisht, jashtëzakonisht shpejt për Washingtonin.
Sipas ligjvënësve amerikanë, kompania ByteDance kontrollohet nga qeveria kineze, e cila mund të kërkojë në çdo kohë të ketë qasje tek të dhënat e konsumatorëve të TikTok-ut në SHBA në çdo kohë që dëshiron.
TikTok-u është tërhequr më herët nga çdo akuzë duke thënë se qeveria kineze nuk luan asnjë rol në kompani dhe se ka ndërmarrë hapa dhe ka shpenzuar miliarda dollarë për të adresuar shqetësimet. Ajo gjithashtu ka luftuar në mënyrë agresive në gjykata kundër veprimeve të mëparshme nga qeveritë federale dhe shtetërore.
Në bisedat me ligjvënësit, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë theksuan se ata donin që ByteDance të shiste TikTok-un në vend që të vendoste një ndalim të pjesërishëm për shkak të popullaritetit të aplikacionit me amerikanët./Reporteri.net/.