×
Hulumtime / Tekstet shkollore

Librat sivjet më të shtrenjtë, procedurat për t’i blerë më të vështira – rimbursimi ende s’është përmbyllur

Reporteri
04 Tetor 2023 | 10:18

Tekstet shkollore. Kjo është tema që përgjatë gjithë shtatorit – madje po vazhdon – të nxisë reagime të ndryshme në opinion, në veçanti te prindërit, fëmijët e të cilëve nisën procesin mësimor kryesisht pa libra, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Çështja e furnizimit me tekste shkollore të nxënësve të shkollave fillore, u bë problematike kur procesi nisi të digjitalizohet.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në Kosovë, e ndryshoi tërësisht mënyrën e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore. Në të kaluarën fëmijët i merrnin librat falas në shkollë, por këtë vit, ata është dashur t’i blinin vet e më pas do të kompensoheshin në shuma prej 30 euro ose 80 euro, përmes platformës digjitale të Qeverisë, E-Kosova. Siç ka mësuar Gazeta Online Reporteri.net, kompensimi nga MASHTI ende po vazhdon.

Kritika të shumta pati për Ministrinë e Arsimit, duke e konsideruar se është ndërlikuar i gjithë procesi.

Sivjet çmimet më të shtrenjta – Nagavci thotë më lirë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pati njoftuar se ka ndryshuar mënyra e shpërndarjes së teksteve shkollore, për shkak të dështimit të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, për faktin se, sipas saj, shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.

Pas pretendimeve të ministres Nagavci se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për libra, ka reaguar Shtëpia Botuese Dukagjini.

Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se oferta që ka bërë në Ministri ka qenë për rreth 4% më e lirë krahasuar me vitin 2022.


Po ashtu, Gazeta Online Reporteri.net ka parë se edhe çmimi i Abetares është më i shtrenjtë. Çmimi i ofertuar ka qenë më i lirë sesa çmimi që më pas u shit Abetarja. Po ashtu, sipas MASHTI-it, edhe në vitin 2022 ka qenë më i lirë.

Në ofertën që e ka refuzuar MASHTI, Abetarja do të shitej 7 euro e 56 cent, ndërsa këtë vit, Abetarja u shit 10 euro e 97 centë.

“Çmimet pako (Abetarja bazë dhe Abetare Pune) sipas komisionit të negocimit për vitin 2022 është 7.56 euro, edhe çmimi pako i (Abetares bazë dhe Abetare Pune) sipas komisionit të negocimit për vitin 2023 është 7.56 euro, sipas raportit të komisionit të negocimit është i njëjtë tenderi i cili është anuluar”, tha për Gazetën Online Reporteri.net Xhemajl Buzuku, Udhëheqës i divizionit të prokurimit.

MASHTI ka ndarë nga 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën dhe nga 30 euro për ata nga e gjashta deri në të nëntën, pasi të fundit i kanë të siguruara librat nga viti i kaluar.

Gazeta Online Reporteri.net, ka komunikuar me disa prindër, fëmijët e të cilëve vijojnë klasat nga 1 deri 5, dhe ata kanë shprehur pakënaqësitë e tyre me mënyrën e aplikimit, që për ta ishte shumë më e vështirë.

Por kujtojmë se tenderi për furnizim me libra shkollorë kishte vlerën 4.8 milionë euro, ndërsa subvencionimi tash për të njëjtin produkt kushton mbi 6 milionë euro.

97 për qind të rimbursuar pas aplikimit për libra

Për subvencionim të teksteve dhe materialeve tjera të nevojshme, Qeveria e Kosovës pati ndarë rreth 13 milionë euro. Subvencionimi po vazhdon.

Mbi 6.3 milionë euro janë ndarë për subvencionim të librave shkollorë. Prindërit do të duhej t’i blinin librat, ndërsa ata do të subvencionoheshin më pas me nga 80 euro.

Edona Kutleshi-Maliqaj, Këshilltare për media në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, tha për Gazetën Online Reporteri.net se deri të premten pasdite në platformën e-Kosova janë pranuar 191.483 aplikime nga të cilat, 111.745 aplikime për klasat I-V për tekste dhe materiale shkollore si dhe 79.738 aplikime për klasat 6-9 për materiale shkollore.

“Nga grupi punues i MASHT dhe MFPT janë verifikuar dhe proceduar pagesat e 97% të aplikantëve dhe ky proces është duke u përmbyllur me sukses”, tha ajo.

Sipas Kutleshi – Maliqajt, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (AShI) ka njoftuar se të gjitha rasteve të aplikantëve për fëmijët e regjistruar në klasën e parë nën moshën 6 vjeçare, pas kërkesës në libri@rks-gov.net u është lejuar mundësia e aplikimit.

“Po ashtu, i kemi zgjidhur rastet për furnizim me tekste shkollore për komunitetet jo shumicë dhe grupet e nxënësve me kujdestari ligjore. Deri më tani në adresë të MASHTI, nuk kemi pranuar asnjë ankesë zyrtare nga komunat apo shkollat lidhur me furnizimin e nxënësve me tekstet shkollore. Me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa përfituar nga kjo mbështetje, platforma eKosova do të qendrojë e hapur dhe po ashtu do të mundësojmë edhe aplikimin fizik në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe shkollat”, tha Kutleshi-Maliqaj.

Numri i nxënësve nga klasa e parë deri në të nëntën në Kosovë llogaritet të jetë 213.000.

Ofertat

Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar nga MASHTI ofertat që shtëpitë botuese ia kanë ofruar ministrisë sivjet.

Shtëpia Botuese – Libri Shkollor – Çmimi total 4,675,050 Euro

Shtëpia Botuese – Dukagjini – Çmimi total 4,260,902.56 Euro

Shtëpia Botuese – Albas – Çmimi total 1,443, 550.20 Euro

Shtëpia Botuese – Pegi – Çmimi total 78,349.14 Euro

Shtëpia Botuese – Berati – Çmimi total 50883.00 Euro

Shtëpia Botuese – Magjia e Librit – Çmimi total 2308.40 Euro

Kritika ndaj MASHTI-t

Organizata ETEA ka realizuar një matje statistikore gjatë muajit shtator të vitit 2023, për furnizimin me tekstet shkollore tek klasat 1-5 dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor në fillimin e vitit shkollor 2022/23, duke marrë tashmë të dhëna konkrete mbi situatën aktuale në shkollat fillore të Kosovës, pas vendimit të MAShTI-t për të ndryshuar procesin për furnizimin me tekste shkollore.

Për të parë se si qëndron situata në shkollat fillore të Kosovës – klasa 1-5 – me furnizimin me tekste shkollore dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor, organizata ETEA, përmes metodës sasiore, ka grumbulluar të dhëna nga 506 respodentë – të gjithë mësimdhënës/e të ciklit 1-5 – prej komunave nga e gjithë Kosova, përjashtuar komunat me shumicë serbe.

Komunat me numrin më të madh të anketave janë Prishtina me 23.1% dhe Peja me 14.6%. Në nivel klasash, numri më i lartë i respodentëve janë mësimdhënës/e të klasës së 5-të (23.7%), pasuar nga mësimdhënësit/et e klasës së 3-të me (21.3%). Matjet nga të cilat dalin statistikat në fjalë janë kryer mes datave 14 dhe 22 shtator. Anketimi është kryer në formë elektronike.

Organizata ETEA tha se nga matjet e kryera se një muaj pas fillimit të vitit shkollor 2022/23, 70.6% e nxënësve/eve të Kosovës shkojnë në shkollë pa pasur në dispozicion të gjitha tekstet shkollore.

Mësimdhënësit/et në shumicë prej 52.6% konsiderojnë se vendimi i MAShTI-t ka pasur ndikim negativ në mbarëvajtjen e procesit mësimor, krahas 14.8% që konsiderojnë se vendimi ka pasur ndikim pozitiv.

Mungesa e teksteve shkollore te fëmijët lidhet me disa arsye, prej të cilave prijnë mungesa e teksteve shkollore nëpër libraritë e qytetit dhe problemet me transferimin e mjeteve financiare përmes platformës e-Kosova.

“Lidhur me vendimin e MAShTI-t për të ndryshuar procesin e furnizimit me tekstet shkollore, 30.4% e mësimdhënësve/eve konsiderojnë se ministria duhet të vazhdojë subvencionimin e prindërve/kujdestarëve/eve për blerjen e teksteve, derisa 69.6% vlerësojnë se MAShTI duhet ta përmbyll këtë proces përmes procedurave të prokurimit”, tha ETEA.

Nga matjet e ETEA, rajoni i Mitrovicës qëndron më së miri në aspektin e furnizimit të fëmijëve me tekstet shkollore. Komuna e Vushtrrisë prinë me 46.7% të mësimdhënësve/eve nga Vushtrria që thonë se 100% e nxënësve/eve janë të pajisur me libra. Mitrovica numëron 41.2% kurse Skënderaj 40%. Në mesin e komunave me numrin më të mirë qëndron edhe Prishtina – si komunë e dytë – me 44% të mësimdhënësve/eve nga kjo komunë që thonë se 100% e nxënësve/eve në klasat e tyre kanë të gjitha tekstet shkollore.

Sa i përket mbarëvajtjes së procesit mësimor, problemi vërehet dushëm te klasët e para, ku 38.3% e mësimdhënësve/eve deklarojnë se ndjekin plan-programin, por fëmijët kanë hasur në vështirësi, ose 12.7% deklarojnë se nuk e kanë ndjekur fare plan-programin, për arsye të ndryshme.

Në total, 54.5% e mësimdhënësve/eve në Kosovë deklarojnë se kanë probleme të ndjekin plan-programin hap-pas-hapi, me vetëm 45.5 për qind që thonë se kanë punuar rregullisht gjatë kësaj periudhe.

Sipas Agjencisë së Statistikave, Kosova ka mbi 300.000 nxënës që ndjekin shkollimin fillor dhe të mesëm në mbi 1.000 shkolla. /Reporteri.net

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!