×
  • Lajme
  • Lajme

    10 muaj burgim efektiv për personin që provoi t’ia djegë veturën gazetarit Shkumbin Kajtazi

    Reporteri
    22 Mars 2021 | 11:58

    Me 10 muaj burg efektiv është dënuar Elvis Jusufi, i akuzuar se kishte tentuar t’ia vë flakën automjetit të gazetarit në Mitrovicë, Shkumbin Kajtazi.


    Aktgjykimi është shpallur të hënën, nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Rrahman Beqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Jusufi është ngarkuar edhe më shpenzimet e procedurës dhe atë, 20 euro për paushallin gjyqësor, kurse 30 euro për taksën për kompensim të viktimave të krimit. Me aktgjykim, gjykatësi Beqiri e udhëzoi palën e dëmtuar në kontest civil për kërkesën pasurore-juridike.

    Prezent gjatë shpalljes së aktgjykimit ishte i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, avokati Gani Rexha.

    Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 18 mars, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Natasha Radoviq, i akuzuari Jusufi ishte deklaruar fajtor.Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 27 tetor 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Elvis Jusufit.Sipas aktakuzës, i pandehuri, më 13 qershor 2020, rreth orës 23:30 minuta, në rrugën “Evlia Qelebia” në Mitrovicë, i shtyrë nga motive të ulëta si rezultat i mendimeve e qëndrimeve të tij personale, i emocionuar për shkak të pakënaqësisë së tij me përmbajtjen e shkrimeve në portalin “Jepi Zë”, me dashje, me qëllim të dëmtimit të pasurisë së personit tjetër, automjetit të tipit “Golf 6”, në shfrytëzim nga i dëmtuari Shkumbin Kajtazi, duke e ditur vendndodhjen e automjetit të lartcekur, me një shishe të plastikës me mbishkrimin “Spring” të siguruar paraprakisht e të mbushur me benzinë, e kishte stërpikë atë në pjesën e sipërme të përparme të anës së majtë (mbi motor), e në gomën e parë të pjesës së majtë të përparme me një letër të ndezur kishte tentuar t’ ia vë flakën, por pasi ka dëgjuar alarmin e veturave të policisë kishte ikur nga vendi i ngjarjes, me ç’ rast nuk kishte arritur që ta realizoj apo kryejë veprën penale.

    Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “zjarrvënia”, nga neni 322 paragrafi 2 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!