×
  • Lajme
  • Lajme / Vrasja e policit

    17 vjet nga vrasja e Triumf Rizës, Sveçla: Të vendoset drejtësia si shpagim për krimin e bërë

    Reporteri
    30 Gusht 2024 | 12:19

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar me rastin e shënimit të 17-vjetorit të vrasjes së zyrtarit policor, Triumf Riza, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Sveçla ka thënë se të gjithë janë të obliguar që të punohet pandalshëm deri në vendosjen e drejtësisë së plotë për këtë rast.

    Jemi dëshmitarë se ende nuk është vendosur drejtësia e plotë me këtë rast, gjë që na obligon të gjithëve që të punojmë pandalshëm që ajo të ndodhë jo vetëm si shpagim për krimin e bërë por edhe si parandalim që kohërat e situatat e tilla të mos na përsëriten më”, shkroi ai.

    Polici i njësisë elite, Triumf Riza, është vrarë më 30 gusht të vitit 2007.

    I akuzuari për shtytje në vrasje të policit Triumf Riza më 2007, Enver Sekiraqa, që nga 17 maji i këtij viti ndodhet në arrati, ndonëse ndaj tij tashmë ekziston një vendim që të kthehet në paraburgim.

    Pas vendimit të fundit të Apelit, Sekiraqa do të duhej të ishte në paraburgim nga masa paraprake që ishte në liri që nga data 03.05.2024, kur ishte shpallur aktgjykimi ndaj tij dhe i ishte zëvendësuar masa nga arresti shtëpiak, por që ende nuk dihet vendndodhja e tij.

    Aktgjykimi ndaj Sekiraqës ishte shpallur më 3 maj të këtij viti, ndërsa Prokuroria ushtroi ankesë ndaj aktvendimit për zëvendësim të masës nga arresti shtëpiak për në liri që e nxori trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Agim Kuçi. Lidhur me këtë ankesë Gjykata e Apelit mori vendim që të aprovojë këtë ankesë dhe të njëjtin ta rikthente në masën e paraburgimit.

    Më 3 maj Sekiraqa është shpallur fajtor dhe është dënuar me 25 vjet burg nga Gjykata e Prishtinës për shtytjen në vrasje të policit Triumf Riza në vitin 2007.

    Kjo përbën herën e tretë që Sekiraqa dënohet për shtytjen e vrasjes së Rizës 17 vite më parë. Për herë të parë në vitin 2016, Sekiraqa ishte dënuar me 37 vite burgim kurse në vitin 2019 me 30 vite burgim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!