×
  • Lajme
  • Lajme / Reagim

    Krasniqi në përvjektorin e vdekjes së Rizës: Fatkeqësi që drejtësia ende s’ka sjellë përmbylljen që e kërkojmë

    Reporteri
    30 Gusht 2024 | 14:02

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar me rastin e shënimit të 17-vjetorit të vrasjes së zyrtarit policor, Triumf Riza.

    Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka shkruar se Riza ishte një nga oficerët më të përkushtuar dhe më të aftë kundër krimit të organizuar, teksa ka thënë se mungesa e tij është plagë që s’do të shërohet kurrë, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    “Kanë kaluar 17 vjet, por dhembja ndjehet po aq e freskët, si në ditën kur e humbëm atë. Triumf Riza ishte më shumë se një mik; ai ishte një forcë e natyrës me vullnet të hekurt, i vendosur për të bërë gjëra të mëdha në jetë. Edhe në ditët tona të shkollës së mesme, prania dhe personaliteti pozitiv i tij, ishin diçka që nuk mund t’i shpërfillje. Triumfi i barti me krenari këto cilësi në karrierën e tij me Policinë e Kosovës, ku u bë një nga oficerët më të përkushtuar dhe më të aftë, duke luftuar pa u lodhur kundër krimit të organizuar. Por, më 30 gusht 2007, një ditë e paharruar përgjithmonë në kujtimet tona, Triumfi na u vodh në një akt frikacak dhe tinëzar, që shkatërroi jetë të shumta. Mungesa e tij është një plagë që nuk shërohet kurrë, veçanërisht për familjen e tij, e cila vazhdon të mbajë peshën e kësaj humbjeje”, ka shkruar kreu i PDK-së.

    Më tej, ai e ka quajtur fatkeqësi, që drejtësia ende nuk ka sjellë përmbylljen që kërkohet për vrasjen e Triumf Rizës.

    “Triumf, trashëgimia jote jeton përherë. Nuk do të të harrojmë kurrë, shok i dashur!”, ka përfunduar Krasniqi.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!