“Bashkë me Shqipërinë dhe mbështetjen e saj, Kosova synon të jetë pjesë e NATO-s dhe e strukturave tjera euroatlantike”, kjo u tha nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në konferencë të përbashkët me ministrin shqiptar, Pirro Vengu.
Pas takimit me ministrin shqiptar, Maqedonci e ka vlerësuar lartë vizitën e parë të Vengut në Kosovë, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
“Si dy vende demokratike ne po vazhdojmë të kontribuojmë në luftën globale kundër rreziqeve që rrezikojnë dhe kërcënojnë sigurinë globale, siç është rasti i luftës në Ukrainë, ku dy vendet tona janë pjesëmarrëse aktive të grupit të kontaktit për mbrojtjen e saj. Jemi pjesë e përbashkët e shumë iniciativave regjionale dhe synimi ynë do të jetë që bashkë me Shqipërinë dhe mbështetjen e saj, të jemi në të ardhmen e afërt pjesë e NATO-s dhe pjesë e strukturave tjera euroatlantike. Faleminderit ministrit Vengu për vizitën dhe respektin që na keni bërë duke zhvilluar vizitën tuaj të parë në Kosovë”, u shpreh Maqedonci,
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
Vizita e tij u prit me ceremoni ushtarake nga Maqedonci.
Paraprakisht, Vengu ishte në një takim me kryeministrin Albin Kurti, ku u tha se kanë biseduar lidhur me zhvillimet e fundit në çështjet e sigurisë, por edhe për iniciativën e ndërmarrë nga qeveria në Prishtinë për hapjen e urës së Ibrit.
/Reporteri.net/.