×
  • Lajme
  • Lajme

    200 mërgimtarë po kontrollohen në Merdare, njëri prej tyre dyshohet për koronavirus

    Reporteri
    13 Mars 2020 | 15:46

    Afër 200 persona që nga ora 7 e mëngjesit të ditës së sotme e deri në orën 13 kanë hyrë në Kosovë, nga pika kufitare në Merdare, ku shumica e këtyre personave që vijnë në Kosovë janë nga Gjermania, Austria, Kroacia dhe Serbia.


    Të gjithë personat që hyjnë në këtë pikë kufitare i janë nënshtruar kontrollit mjekësor për koronavirus, e gjatë ditës së sotme një person që kishte ardhur në Kosovë nga Gjermania përmes kësaj pike kufitare është dërguar në Klinikën Infektive si i dyshuar me këtë virus

    Doktoresha Shqipe Ramadani, tha se në këtë pikë kufitare janë kontrolluar të gjithë udhëtarët që kanë hyrë në Kosovë

    Ajo ka dhënë detaje rreth personit që është dyshuar i infektuar me koronavirus, derisa thekson se i njëjti ka pasur temperaturë të lartë

    “Çdo individ i cili hynë e sidomos ata që kanë qenë prej vendeve që ka pasur të dhëna se ka të infektuar me koronavirus, kurse tani e tutje prej kur është shpallë pandemi nga OBSh detyrohemi çdo njërin me e kontrollua. Procedura është se e kontrollojmë për temperaturën që është prej simptomave kryesore të cilat ne bazohemi. Mirëpo, në rast se ka temperaturë të lartë atëherë neve duhet me i marrë edhe të dhënat e tjera, në bazë të cilës a ka pasur kontakte me dikë që ka qenë i infektuar më herët, nëse po atëherë neve jemi të detyruar të bëjmë izolimin e atij personi, ta vëmë në karantinë. Pak më parë patëm një rast të cilën e dërguam në Klinikë me temperaturë pak të lartë, tash neve na konfirmohen të dhënat prej Institutit ose Klinikës Infektive do të jetë apo jo i infektuar”

    Ramadani tha se si staf mjekësor nuk janë pajisur mjaftueshëm me material mbrojtës nga koronavirusi

    “Të them të drejtën duke llogaritur në atë që është ndarë buxhet nga qeveria e Kosovës nuk jemi të kënaqur. Unë personalisht për vetën time jo, kemi por jo mjaftueshëm, sepse pajisjet mjekësore duhet të ndërrohen kohë pas kohe sepse kemi shumë udhëtarë e ne jemi të detyruar mbajmë kohë më të gjatë. Nuk po na vinë mjaftueshëm, unë iu kisha thënë që duhet të kenë kujdes të na furnizojnë më mirë dhe më shumë “

    Gjatë kohës sa ekipi i KosovaPressit ka qëndruar në pikën kufitare Merdare, aty një numër i madh i udhëtarëve kanë hyrë në Kosovë, e të cilët arsye kryesore se pse kanë ardhur ka qenë kalimi i pushimeve në vendlindje.

    Fevzi Zaka, në Kosovë ka ardhur nga Gjermania për pushim, ndërsa kontrollet që bëhen në kufi i sheh si të mira për parandalim të koronavirusit

    “E vlerësojmë këtë kontrollim, është për të mirën tonë, besoj që me u marrë masa parandaluese janë të mira”, tha ai.

    Kurse, Lul Balaj kishte marrë rrugën drejt Kosovës nga Austria, e që thotë se kontrollet ua largojnë brengat se mos janë prekur nga koronavirusi.

    “Shumë të mira, brenga duhet gjithqysh me u hjek. I shoh shumë të arsyeshme, sidomos për ne që vijmë nga diaspora”, tha ai.

    Haxhi Çelaj, është një qytetar tjetër që ka ardhur nga Gjermani, e që thotë se nuk frikësohet nga koronavirusi

    “Vijmë prej Gjermanisë, edhe kjo kontrollë shumë e mirë është. Unë jo për vete”, tha ai.

    Përveç udhëtarëve që hynin në Kosovë, një numër i madh i qytetarëve përmes pikës kufitare Merdarë lëshonin Kosovën.

    Qytetari Erkan Hamza, është një nga ata që gjendej në Kosovë për pushime e që pas paralajmërimeve për mbyllje të kufijve po kthehej në Austri.

    Kam ardhur me bë pushime, por për fat të keq vajzën e kam atje, bisedova me vajzën atje sot në mëngjes tha babi nisu sa më shpejt se do të mbyllen kufijtë. E për atë arsye tash e prisha pushimin, duhet me u kthye sa më shpejt ..Unë nuk frikësohem nga virusi në Kosovë nuk ekziston virusi, por mediat e bëjnë më së shumti , tha ai.

    Kujtojmë se në Kosovë nuk është shënuar ndonjë rast me koronavirus, ndërsa sot Shqipëria ka mbyllur kufirin me Kosovën./Reporteri/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!