×
  • Lajme
  • Lajme / Paragjykimet dhe stigma

    25 vjet më pas, sfidat e të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë

    Reporteri
    22 Qershor 2024 | 20:27

    Paragjykimet me të cilat përballën të mbijetuarit e përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, sipas aktivistes Dorina Babuni, bën që ky grup të ndjehet vetë fajtor për atë çfarë u ka ndodhur. Zonja Babuni, një nga aktivistet më me përvojë nga organizata “Medica Gjakova” ndihmon dhe mbledh të dhëna për viktimat e përdhunimit gjatë luftës në Kosovë.

    Gjatë intervistës me Zërin e Amerikës, ajo tregon se një raport në të cilin ajo dhe aktiviste të tjera kanë punuar mbi dy vjet me të mbijetuarit do të publikohet në muajin shtator. Aktivistja nga Kosova, e cila po qëndron në Shtetet e Bashkuara në kuadër të Programit të Departamentit të Shtetit për Vizitorët Ndërkombëtarë, thotë se shumica e të mbijetuarve nuk pranojnë të flasin publikisht për shkak të stigmës me të cilin vazhdojnë të përballen, 25 vjet pas çlirimit të Kosovës.

    “Stigma është ajo që ne, së bashku me të mbijetuarit, po mundohemi ta luftojmë çdo ditë për shkak se në supet e tyre ende qëndron faji padrejtësisht. Të gjithë fajin e mbartin mbi vete. Kjo është trauma me të cilën jetojnë. Disa nga tregimet që na janë thënë neve është se si kanë menduar t’i japin fund jetës, apo si kanë jetuar me ndjenjën se gjithçka mund të shkatërrohet në jetët e tyre nëse ato tregojnë se çfarë u ka ndodhur. Kemi raste kur kanë frikë se burri i dëbon nga shtëpia nëse e merr vesh se çfarë ka ndodhur. Ka patur raste të tjera që kanë rrëfyer që prindërit praktikisht e kanë dëbuar nga shtëpia ‘sepse është turpi i familjes’. E gjithë frika është nëse dalin hapur të tregojnë se çfarë u ka ndodhur, ato do të bëhen turpi i familjes, do të bëhen turpi i shoqërisë. Shumica prej tyre mundohen që këtë sekret, këtë vuajtje, ta mbartin me vete deri në varr. Ne mundohemi t’u ofrojmë mbështetje që t’i ndihmojmë ato t’ua tregojnë këtë përvojë të tjerëve. Në momentin kur e ndajnë këtë histori me të tjerët, aty fillon shërimi”, thotë ndër të tjera ajo.

    Babuni thotë se 5 vjet pas luftës ka ende raste që askush nuk e di nga familja për atë që viktima e dhunës seksuale ka përjetuar.

    “Ka ende shumë raste. Fatkeqësisht ka shumë dhe këtë po mundohemi që përmes aktiviteteve të ndryshme, përmes shërbimeve të drejtpërdrejta që i ofrojmë ne në organizatë, përmes aktiviteteve të ndryshme që të ndërgjegjësojmë shoqërinë që t’i pranojë ashtu siç janë. Ne duhet t’u ofrojmë mbështetje sepse është një grup shumë i ndjeshëm, është një grup që ka përjetuar shumë gjëra të tmerrshme dhe e gjithë ajo që iu duhet është mbështetja jonë. Këtë mbështetje ato nuk e kanë. Ka prej tyre që sekretin e tyre apo rrëfimet e tyre i kanë treguar vetëm në organizatë”, shprehet ajo për Zërin e Amerikës.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!