28 vjeçarja rome nuk u ndihmua nga askush, u detyrua ta lind foshnjën në tregun e Kamenicës

Një lindje jo e zakonshme ndodhi të dielën në Kamenicë. Në tregun e këtij qyteti në kushte jo të përshtatshme Xhejlane Mehmeti, 28-vjeçare, pjesë e komunitetit rom, u bë nënë e fëmijës së gjashtë të saj të cilit ia vuri emrin Valon. Por, ajo nuk u ndihmua nga askush derisa e vetme u detyrua që ta kryente procesin e lindjes. E në tregun e Kamenicës, lehona, për muaj me radhë kishte kërkuar lëmoshë. Tash, gjendja shëndetësore e lehonës por edhe e foshnjës sipas mjekëve është stabile.


Në tezgat e tregut të gjelbër në qytetin e Kamenicës ende gjenden gjurmë gjaku. Aty, të dielën që shkoi ndodhi një ngjarje jo e zakonshme. Një vajzë e moshës 28-vjeçare e lindi fëmijën e saj në kushte jo të përshtatshme dhe pa ndihmën e askujt.

Bëhet fjalë për lehonën Xhejlane Mehmetin, e cila pasditen e së dielës u bë nënë e fëmijës së gjashtë të saj.

Por si ndodhi kjo ngjarje jo e zakonshme në Kamenicë?

Në muajin e nëntë të shtatzënisë, Xhejlane Mehmeti 28-vjeçe, bashkë me njërin nga fëmijët kishte marrë rrugë nga fshati Bosce për në qytetin e Kamenicës. Gjithë ditën e diel të datës 7 prill ajo e kishte kaluar duke kërkuar lëmoshë nëpër rrugët e këtij qyteti.

Por në orët e pasdites të së dielës, Xhejlanës i nisin dhembjet e lindjes. Në pamundësi që të shkojë në spital, ajo improvizon dhe e kryen lindjen pa ndihmën e askujt në tezgat e tregut të Kamenicës.

Njollat e gjakut ende shiheshin në kartonët në të cilët ajo kishte qenë e shtrirë në momentin kur e kishte kryer lindjen.

Por edhe pse në kohën kur ajo po lindte, në treg kishte pasur njerëz, asnjëri nga ta nuk ishte afruar që ta ndihmonte atë për ta kryer procesin. Andaj, e vetme Xhejlanja e lindi foshnjën në kushte jo të zakonshme.

Jo e zakonshme, një grua në Kamenicë lind në tregun e qytetit

Gazeta Express, gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Kamenicë. Aty ku ka biseduar me familjarë, mjekë si dhe dëshmitar që e kanë parë procesin.

Britmat e lindjes së Xhejlanes, i kishin dëgjuar shumë persona të cilët kishin qenë të pranishëm në treg në momentin kur ajo solli në jetë foshnjën e saj të gjashtë. Por asnjëri nga ta nuk kishte shkuar që ta ndihmonte atë, duke e lënë të vetme që ta kryente kështu një proces kaq të ndjeshëm.

Xhejlanja solli në jetë Valonin rreth orëve te para të pasdites së 7 prillit.

Për këtë rast sot rrëfeu edhe tregtari Hivzi Pireva.

“E kemi dëgjua këtu duke bërtite një person dhe e kemi pa duke lindë këtu, pa i ndihmua askush. Ne zonjën në fjalë e kemi pa, ka ardhur një fëmijë i saj e ka marrë pas nja 20 minutave. Fëmija kur lindi u dëgjua këtej. Rreth orës 16:00 diku pasdite ka qenë ora kur e pamë se ka lindë. Ajo është lypsare, shpesh ka qenë këtej”, tregon Pireva.

Express, ka qëndruar në familjes e lehonës. Ajo në orët e pasdites të së enjtes nuk kishte qenë në shtëpi. Bashkë me foshnjën ishin dërguar për në spitalin e Gjilanit për t’ia bërë edhe disa kontrolle të tjera mjekësore asaj dhe foshnjës që e lindi të dielën.

Vendi ku 28-vjeçarja e kreu lindjen

Nexhat Bajrami, burri i Xhejlanes, ia konfirmoi gazetës se gruaja e tij në momentin e lindjes kishte qenë në treg.

“Gruaja ime lindi në pazar të dielën. Unë nuk kamë qenë në shtëpi. Isha në Bujanovc. Ajo në treg ka lindë sepse kishte shku në market me marrë diçka edhe aty e kanë kap dhimbjet”, rrëfen ai.

Por nga familja e 28-vjecares thonë se ajo nuk kishte dashur që të shkonte tek mjeku.

“Gruaja nuk deshi që të shkojë në spital të Gjilanit e as në spital të Kamenicës. Unë nuk kam asnjë problem me gruan time. Unë i kam 6 fëmijë. Emrin Valon Bajrami po ia lejmë”, thotë ai.

Nexhat Bajrami, burri i Xhejlanes

E kunata e Xhejlanes, Nerminja, thotë se lehona nuk e kishte ditur se do të lindte atë ditë.

“Ne e kemi dite qe ka lindë ajo (Xhejlanja Mehmeti) te tregu. Ajo nuk e ka ditë që ka me lindë atë ditë nuk është dashtë që të shkojë atje. Ajo nuk ka pas probleme me burrin”, thotë ajo.

Ndërkohë gjendja shëndetësore e Valonit i cili ka një javë që ka ardhur në jetë është stabile. Në gjendje të mirë shëndetësore është edhe nëna e vogëlushit, Xhejlanja. Kështu po deklarohen mjekët në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjilan.

Drejtori i kësaj qendre, Ylber Thaçi, tha se pacientes në fjalë i janë bërë të gjitha kontrollet mjekësore dhe se gjendja e saj por edhe e foshnjës janë stabile.

“Ne dje ia kemi bërë një kontroll lehonës dhe është konstatuar se gjendja e saj shëndetësore është e mirë. Pacientja me foshnjën ka qenë sot këtu dhe pas kontrollit që ia ka bërë pediatri është konstatua se foshnja e ka një infeksion dhe është transferuar për në spitalin e Gjilanit. Për foshnjën pas lindjes siç duket ajo e ia ka bërë një lidhje të kërthizës së foshnjës”, thotë drejtori.

Njëjtë shprehet edhe doktori i cili e ka vizituar lehonën në shtëpinë e saj, doktori Lavdim Syla, specialit në QKMF’në e Kamenicës.

“Ne dje me datë 10 prill, kemi qenë në ndërrimin e pasdites. Diku ka ora 19:00 neve na është kërkuar që ta bëjmë një vizitë pasi që ka pas një lindje në tregun e gjelbër këtu në Kamenicë. Ne kemi shkuar në shtëpinë e lehonës, paciente e komunitetit rom. Gjendja e lehonës ishte stabile po ashtu edhe beba ishte në gjendje stabile’, thotë ai.

E kjo lindje e jashtëzakonshme në Kamenicë ka zgjuar kureshtjen e shumë personave. Hetime tashmë ka nisur edhe policia e Kosovës si dhe Qendra për Punë Sociale në Kamenicë. /express/.