×
  • Lajme
  • Lajme

    7 raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit

    Reporteri
    13 Janar 2022 | 10:27

    Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në vend.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë, 2 raste kanë ndodhur në Prishtinë, një në Gjakovë, një në Rahovec, një në Ferizaj, një në Klinë e një në Podujevë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në Podujevë, një person ka raportuar se djali i tij në vazhdimësi ka sulmuar atë dhe familjarët e tjerë duke i gjuajtur me gjësende të shtëpisë dhe duke i keqtrajtuar psiqkisht. Babai i të dyshuarit ka bërë të ditur se djali i tij është i sëmurë mendor. I dyshuari është arrestuar dhe pas tretmanit në psikiatri me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Në Prishtinë, një person ka njoftuar se gruaja me të cilën bashkëjeton e ka sulmuar fizikisht me ç’rast i ka shkaktuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor.

    Teksa në rastin tjetër, është arrestuar një person pasi i njëjti në vazhdimësi ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas që bashkëjetonte dhe djemve të tij. Siç bën të ditur Policia, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Ndërsa në Ferizaj, Klinë e në Gjakovë tri gra kanë raportuar se janë sulmuar fizikisht nga bashkëshortet e tyre. Në raport theksohet se i dyshuari nga Ferizaj është në arrati, ai në Klinë është dërguar në mbajtje, kurse i dyshuari nga Gjakova është liruar në procedurë të rregullt.

    Edhe në Rahovec është raportuar për një rast dhune në familje ku një person, pas një mosmarrëveshjeje në familje, ka kanosur verbalisht bashkëshorten e tij dhe bashkëshorten e djalit të tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!