×
  • Lajme
  • Lajme

    9 vjet nga sulmi me bombë ndaj banesës tek “Tre rrokaqiejt”, ku u vra një 38 vjeçar shqiptar

    Reporteri
    08 Prill 2021 | 11:04

    Sot janë bërë 9 vjet nga kur, teksa flinte në banesën e tij në zonën e njohur si “tre rrokaqiejt”, ishte vrarë Selver Haradinaj, 38 vjeçar.


    Haradinaj u vra me një sulm më bombë artizanale rreth orës 01:00 pas mesnatës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Atëbotë kishte reagime nga institucionet e shtetit, mirëpo asnjë hetim mirëfilli nuk është kryer për këtë rast. Asnjë person nuk ishte arrestuar.

    Policia kishte treguar detajet e bombës që ishte përdorur në këtë sulm, i cili demoloi tërë banesën e 38 vjeçarit.

    “Besohet se mjeti eksplodues të jetë një sasi e eksplozivit plastik, një bombë artizanale, me sasi të 500 gramë të eksplozivit plastik, e cila është vendosur. Më pas është aktivizuar me fitil ngadalë- ndezës, të vendosur në parmakët e dritares së katit përdhes të familjes Haradinaj”, kishte thënë Besim Hoti, zëdhënës i Policisë në veri.

    Madje, Policia tregonte se shpërthimi ishte aq i fuqishëm, sa dëmtoi xhamat e blinduar të kësaj banese.

    “Gjithsesi, mënyra, metoda dhe sasia e këtij lloji të eksplozivit që është përdorur, konsiderohet nga ekspertët e Njësisë për identifikim të mjeteve shpërthyese, si sasi e madhe, për të shkaktuar dëme të mëdha materiale, duke marrë parasysh që xhamat, dritaret e kësaj shtëpie ishin të blinduara, faktikisht të mbyllura, të mbuluara. Të njëjtat janë shkatërruar ose demoluar tërësisht, marrë parasysh fuqinë e shpërthimit, si dhe disa automjete përreth, të cilat kanë qenë të parkuara afër ndërtesës”, kishte theksuar Hoti në vitin 2012.

    Ndërkohë, partitë opozitare të asaj kohe, e quanin sulmin ndaj banesës së shqiptarit të veriut, si sulm terrorist dhe fajin i lënin serbëve.

    Ndryshe, zona e njohur sit e “tre rrokaqiejt” është e banuar nga nacionalitete të përziera, dhe është zona më e afërt e urës kryesore të Ibrit./Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!