Ish-Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, së shpejti pritet të konfirmohet në pozitën e Shefes së Diplomacisë së Bashkimit Evropian, pozitë që aktualisht e mban Josep Borrell. Me ardhjen e Kallas në krye të politikës së jashtme, është raportuar se mund të hiqet plotësisht pozita e emisarit special për dialogun Kosovë-Serbi, të cilën aktualisht është duke e mbajtur sllovaku, Miroslav Lajcak. Por, çfarë thotë vetë Lajçak?
Lajçak është shprehur i sigurt se edhe pasi atij do t’i skadojë mandati, do të ketë të dërguar të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, kjo pozitë është vërtetuar se është e rëndësishme. Ai thotë se i dërguari i BE’së është i nevojshëm deri në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, shkruan Reporteri.net.
“Do të takohem me të dërguarin e ri të BE-së në ditët në vijim dhe do të diskutojmë, natyrisht, për të gjitha në hollësi. E kemi një takim të caktuar. Por, nuk dua të parashikoj rezultatin, porse mund të jem i sigurt që do të ketë të dërguar të BE-së dhe ekipi do të vazhdojë, sepse është vërtetuar se është i rëndësishëm, sidomos për përfaqësuesin e Lartë, sepse përfaqësuesi i Lartë ka shumë punë para vetes. Ballkani dhe procesi i normalizimit kanë nevojë për dikë që është i fokusuar në të dhe e vëzhgon 24/7. Kjo është saktësisht ajo që bëjmë. Puna nuk është kryer ende dhe prandaj duhet të vazhdojë. Unë besoj që duhet të ketë të dërguar të BE-së që e asiston përfaqësuesin e Lartë, derisa të zbatohet Marrëveshja e Ohrit. Kjo është pozitë shumë e qartë”, ka deklaruar Lajçak në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Mandati i Lajcak skadon më 31 janar 2025. Ai ishte angazhuar si emisar nga Borrell në vitin 2020. Gjatë mandatit të tij, ndaj Lajçak janë drejtuar disa herë akuza për qëndrim jo fer ndaj Kosovës.
Ai ka folur edhe për këto akuza.
“Unë jam mjaftueshëm gjatë në këtë punë për t’i ditur të gjitha këto lojëra. Pikë së pari, sulmet personale nuk janë mënyrë evropiane. Ne nuk e bëjmë këtë në Evropë. Duhet t’i shohësh çështjet. E dyta, ajo që kërkohet nga Kosova, sipas Marrëveshjes së Ohrit, është diçka për të cilën Kosova tashmë është zotuar ta bëjë më 2013, dhe madje e ka ratifikuar në Parlament. Më tregoni, pra, se si një gjë e tillë është jo fer”, ka thënë Lajçak.
Sipas tij, sulmet nuk ndihmojnë por diskreditojnë njerëzit që sulmojnë.
“Nëse mendoni se mund të merrni gjithçka falas, atëherë sigurisht se kur ju kërkohet ta kryeni pjesën tuaj, mund t’ju duket e padrejtë. Por, në jetën reale, mes të rriturve, duhet të japësh që të marrësh. Të dyja palët. Kjo është e vetmja mënyrë se si mund të arrish marrëveshje. Dhe, sulmet personale nuk do të ndihmojnë, sepse ato, në fakt, diskreditojnë njerëzit që sulmojnë”, ka thënë Lajçak.
Ndryshe, Kallas ka njoftuar më 26 gusht se ka shkuar në Bruksel dhe se pret të takohet me kolegët e shërbimit diplomatik të BE-së. Ajo ka paralajmëruar se javët në vazhdim do të jenë me plot takime dhe biseda, me fokus në seancën për konfirmimin e saj në Parlamentin Evropian./Reporteri.net