×
  • Lajme
  • Lajme

    A do të mbahet afati i provimeve të qershorit në fakultete, flasin nga UP-ja

    Reporteri
    14 Maj 2020 | 15:30

    Për shkak të pandemisë Covid-19, në Universitetin e Prishtinës është pezulluar procesi mësimor dhe provimet për afatin e jashtëzakonshëm të muajit prill nuk janë mbajtur.


    Por për afatin e qershorit, po planifikohet që provimet të mbahen në formë online nëse stafi akademik dhe studentët nuk do të mund të kthehen në njësitë përkatëse akademike.

    Prorektori i UP’së, Hysen Bytyqi tha se deri më tani nuk kanë diçka konkrete nga MSH’ja sa i përket mbajtjes së provimeve për afatin e rregullt të qershorit dhe po presin që të zbatohet faza e tretë e masave të vendosura nga MSH’ja

    “E para e punës është se nuk kemi diçka konkrete prej Minsitrisë së Shëndetësisë, por faza e tretë që fillon me datë 1 qershor, ku parashihen që mund të mbahen provimet, por se a do të ndodhë kjo apo jo, me siguri do të ketë vendim qeveritar për këtë”, ka thënë Bytyqi.

    Ai u shpreh se Universiteti “Hasan Prishtina” do të preferonte variantin e parë që stafi akademik dhe studentët të mbajnë provimet në njësitë akademike.

    “UP’ja do ta preferonte variantin e parë që ne të kthehemi në njësitë akademike tona dhe provimet të mbahen në mënyrë fizike kjo është e dëshirueshme nga studentët dhe nga ne”, tha ai për Express.

    Tutje, Bytyqi shtoi se nëse afati i qershorit nuk do të jetë e mundur të organizohet në objektet akademike atëherë provimet do të organizohen në formë digjitale.

    “Nëse kjo nuk do të na mundësohet nga MSH’ja atëherë provimet e qershorit do të mbahen online dhe karshi situatës UP’ja edhe do të organizoj mbajtjen e provimeve, por ne patjetër duhet të startojmë në formën online”, shtoi ai.

    Ai tha se sipas rregullores së UP’së provimet e afatit të qershorit fillojnë më 1 qershor dhe mbarojnë me 30 qershor, por për shkak të pandemisë, kjo do të shtyhet deri më 20 korrik.

    “Provimet fillojnë prej 1 qershorit sipas rregullores, por për shkak të pandemisë ne këtë herë kemi lënë fleksibilitet tek njësitë akademike, disa prej tyre në pjesën e parë të qershorit do të mbajnë disa provime të praktikës dhe atyre laboratorike. Por provimet duhet të përfundojnë deri më 20 korrik”, tha Bytyqi.

    Vendimet e reja të Ministrisë së Shëndetësisë të cilat kanë hyrë në fuqi nga data 4 maj 2020, parashihen të zhvillohen në tri faza.

    Faza e parë nga data 4 maj deri më 18 maj, faza e dytë nga data 18 maj deri më 1 qershor.

    Ndërkaq faza e tretë fillon data 1 qershor, ku mes tjerave parashihen të mbahen edhe provimet në arsimin e lartë konform rregullave të vendosura me protokollin epidemiologjik.

    Shefi i Kabinetit të Ministres në detyrë të Arsimit, Hykmete Bajrami, Lulzim Krasniqi i tha Gazetës Express se UP’ja ka autonomi të plotë sa i përket çështjes së mbajtjes së afatit të qershorit në njësitë akademike apo në formatin online, dhe se MASHT’i nuk interferon në këtë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!