×
  • Lajme
  • Lajme

    A do të prezantohet ‘zajednica’ në Berlin, si opsion për marrëveshje finale Kosovë – Serbi?

    Reporteri
    17 Prill 2019 | 12:47

    Data 29 Prill mund të jetë një ditë e rëndësishme për Kosovën. Kjo të paktën nga ajo çfarë flitet në media dhe në opinionin publik. Në këtë ditë në Berlin do të mbahet një Samit i kryesuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emanuel Macron. Aty do të jenë të ftuar krerët e shteteve të Ballkanit.


    Por, siç thuhet, fokusi do të jetë tek dy vende, Kosova dhe Serbia. Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Haradinaj do të jenë aty në emër të Kosovës e ndërsa në emër të Serbisë, presidenti Aleksander Vuçiç dhe kryeministrja Ana Bernabiq. Thuhet se Macron dhe Merkel do të tentojnë të kenë një takim të veçantë me drejtuesit e të dy shteteve.

    Përtej agjendës protokollare, fotografive dhe temave të përgjithshme për perspektivën evropiane, mediat raportojnë se në këtë Samit, Merkel dhe Macron do të prezantojnë një plan për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ky plan thuhet se nuk do të parasheh ‘shkëmbim territoresh’ por një asociacion me kompetenca ekzekutive për komunat në veri, që do të ishte një sovranitet i Serbisë në Kosovë.

    Arsyeja pse pritet që në këtë samit të ketë lëvizje në raportet Kosovë- Serbi është fakti se aktualisht ka një ndërprerje të dialogut në Bruksel, pas sjelljes së Serbisë ndaj Kosovës dhe vendosjes së taksës për Serbinë nga ana e Kosovës. Madje thuhet se Gjermania, si fuqi brenda BE-së ka qenë e pakënaqur me mënyrën e menaxhimit të dialogut nga ana e Frederica Mogherinit, përfaqësuese e BE-së për politikë të jashtme, shkruan Reporteri.net.

    Por, cili është pozicioni i Kosovës nëse një plan i tillë prezantohet?
    Presidenti Hashim Thaçi, kur kishte prezantuar idenë e tij për ‘korrigjim të kufijve’ në vazhdimësi kishte thënë se ‘zgjidhja me asociacion me kompetenca ekzekutive do të ishte e dëmshme për Kosovën’. Ai foli sot për takimin në Berlin. Tha se nuk ka një plan te fshehtë.

    “Takimi i Berlinit do të jetë vazhdimësi e interesimit të Gjermanisë dhe Francës për Kosovën dhe rajonin tonë. Ne e mirëpresim dhe e përshëndesim këtë iniciativë. Bazuar në konsultat që kam zhvilluar, nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Për më tepër, nuk ka asnjë agjendë të fshehtë prapa këtij takimi. Presim që, në fund, ky takim të rezultojë me një deklaratë retorike të përgjithshme, paraprakisht të dakorduar mes pjesëmarrësve, e cila ndër të tjera do të rikonfirmojë së paku perspektiven evropiane të rajonit tonë, thellimin e reformave sidomos në sundimin e ligjit, si dhe do të theksojë domosdoshmërinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar ai sot në një deklaratë në faqen e tij në Facebook.

    Ramush Haradinaj, sa ishte në opozitë kishte kundërshtuar opsionin e marrëveshje me një asociacion me kompetenca ekzekutive, por prej se është në qeveri ai kryesisht ka lobuar kundër idesë së ‘shkëmbimit të territoreve’.
    E kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli që nuk do të jetë në Berlin më herët ka dalë kundër dy ideve, ‘shkëmbimit të territoreve’ dhe ‘asociacionit me kompetenca ekzekutive’.

    Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Haradinaj ka një kohë që kanë raporte jo të mira edhe publike. Kryeministri që një kohë kundërshton idenë e korrigjimit të kufijve dhe insiston në mos heqjen e taksës deri në njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.
    Thaçi ndërkaq përkrah idenë për korrigjim kufijsh dhe kërkon pezullimin e taksës për t’i dhënë shanse dialogut.

    Kur çështja e dialogut Kosovë – Serbi po merr vëmendje të madhe edhe nga krerët e BE-së, por edhe të Amerikës, për një zgjidhje sa më të shpejtë, cili do të ishte pozicioni i Kosovës, nëse në tavolinë janë vetëm dy opsione? Shkëmbim të territoreve apo Asociacion me kompetenca ekzekutive? /reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!