×
  • Lajme
  • Lajme

    A do t’u bindet VV kërkesave amerikane dhe gjermane për formim të një qeverie të re, pas rënies së qeverisë Kurti

    Reporteri
    27 Mars 2020 | 10:45

    Qeveria Kurti u rrëzua pas vetëm 50 ditë në krye të vendit, dhe tani ende mbetet e paqartë se si do të veprohet me formimin e qeverisë së re, pasi vendi ndodhet në një situatë të pandemisë globale me coronavirusin, dhe nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, edhe nëse do të kishte vullnet për këtë nga të gjitha partitë në vend.


    Pas rrëzimit të qeverisë Kurti, kanë qenë SHBA’ja dhe Gjermania, që kanë reaguar zyrtarisht që vendi të ketë qeveri të formuar përmes procesit kushtetutes. Bile gjermanët kanë qenë më të drejtëpërdrejtë duke kërkuar qeveri të re.

    Në një deklaratë për media, të lëshuar dje në mëngjes, nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann Wadephul, si edhe dy raportuesit për Kosovën, Peter Beyer (CDU) dhe Christian Schmidt (CSU), kanë kërkuar krijim sa më të shpejtë të qeverisë së re.

    “Në këtë kohë të vështirë, Kosovës i duhet urgjentisht një qeveri e aftë për veprim dhe për vendimmarrje. Të gjithëve që janë përgjegjës në Kosovë – parlamenti, qeveria dhe presidenti – u bëhet thirrje të japin ndihmesën e tyre për qëndrueshmërinë e veprimtarisë së qeverisë. Duke vijuar punën e saj në në mënyrë konsekuente, qeveria duhet të rifitojë besimin që ka humbur kohët e fundit“, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

    Deputetët formulojnë edhe disa prioritete për qeverinë e re, siç janë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, vazhdimi i trajtimit të krimeve të luftës, heqjen e tarifave ndaj Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës, dhe vijimin e dialogut me Serbinë. Prej kësaj të fundit, ata kërkojnë edhe që të heqë dorë nga lobimi për mosnjohjen e Kosovës.
    Pas gjermanëve, mbrëmë ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes një deklarate të nënshkruar nga dërguari special të presidenti, Richard Grenell, ambasadori Philip Kosnett dhe Përfaqësuesit Special për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ku thuhet se SHBA do të punojë me çdo qeveri të formuar përmes procesit kushtetutes, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Në këtë kohë të pasigurisë, ne i nxisim krerët e Kosovës që të respektojnë Kushtetutën e Kosovës dhe sundimin e ligjit. Ne jemi të përkushtuar që të punojmë me çdo Qeveri të formuar përmes procesit kushtetues”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

    Por, në anën tjetër, Vetëvendosje e cila drejton qeverinë aktuale, e cila tashmë është qeveri në detyrë, pasi u rrëzua në Kuvend, me 82 vota kundër saj, po insiston se ka legjitimitetin e popullit, dhe duhet të vazhdojë ta qeverisë vendin deri në zgjedhjet e reja parlamentare, në momentin kur të krijohen kushtet për to.

    Në mesin e shumë zyrtarëve të VV’së po deklarohen kështu, ishte edhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i cili në një intervistë në KTV, tha se qeveria aktuale do të vazhdojë të udhëheq me vendin deri në krijimin e kushteve për zgjedhje të jashtëzakonshme. Sipas tij, edhe pse qeveria Kurti më nuk i ka votat në Kuvend, ajo e ka legjitimitetin popullor, pasi kjo sipas tij, vërehet edhe nga mbështetja popullore që është duke e marrë.

    Në anën tjetër, ka qenë presidenti Hashim Thaçi, i cili me të rënë qeveria Kurti, ka paralajmëruar se do t’i fillojë negociatat me partitë politike për formimin e një qeverie të re. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!