Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit nga AAK, Blerim Kuçi, thotë se partia e tij më shumë është e fokusuar te zgjedhjet lokale që mbahen vitin tjetër se te zgjedhjet eventuale parlamentare.
Ai thotë se është interesant se sa here që sondazhet nuk e nxjerrin mirë partinë e tij, ajo del mirë me rezultate dhe e kundërta.
“Aleanca i ka dy procese, atëherë kur sondazhet nuk na qesin mirë, ne dalim shumë mirë në zgjedhje, atëherë kur sondazhet na qesin mirë në zgjedhje, ne nuk dalim mirë. Nuk jemi duke u marrë me sondazhe, por jemi duke bërë konsultime me elektoratin, sepse po hyjmë në proces zgjedhor për zgjedhje lokale”, thotë Kuçi në REPORTERI/INTERVISTA.
Ai thotë se AAK është në pushtet në 7 komuna, ka kryetarin, kurse në 7 komuna tjera është në pushtet por në koalicione.
“Arma më e fortë e AAK-së është pushteti lokal. Aleanca i ka bindshëm kryetarët e komunave më të mirë në Kosovë. Sa i përket zgjedhjeve lokale është e dyta, po presim me u rritë, dhe shpresoj që në zgjedhjet lokale të jemi partia e parë. Dhe jemi duke iu përkushtuar më shumë zgjedhjeve lokale se parlamentare”, thotë ai.
/Reporteri.net/.