Të armatosur mirë, grup kriminal që ishin parapërgatitur muaj më parë për sulmin në veri, një strukturë jo spontane – e në krye të saj me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, kryen sulm vdekjeprurës në fshatin Banjskë. Lista Serbe është pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Autoritetet kosovare konfiskuan arsenal armësh që ishin vendosur në manastirin e Banjskës, aty ku edhe ndodhi sulmi të dielën e 24 shtatorit, ku u vra rreshteri, Afrim Bunjaku, u plagosën dy të tjerë, ndërsa u vranë nga Policia e Kosovës katër kriminelë serbë e u plagosën tetë të tjerë.
Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin terrorist në veri të vendit.
Ndërkohë, në Kosovë u shtuan zërat që Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ku Radoiçiqi është nënkryetar me mbështetjen e Beogradit zyrtar – të shpallet organizatë terroriste.
Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron punën e policisë, prokurorisë dhe gjykatave, tha për Gazetën Online Reporteri.net, se një parti politike nuk mund të mbahet përgjegjëse për sjelljet e një individi, nëse atë nuk e ka autorizuar partia.
“Në bazë të Kushtetutës dhe ligjit në Kosovë dhe praktikave dhe standardeve të Komisionit të Venecias, një parti politike si e tërë nuk mund të mbahet përgjegjëse për sjelljet individuale të një anëtari të partisë, nëse i njëjti nuk është autorizuar nga vet partia për një veprim apo sjellje të caktuar”, tha Miftaraj.
Miftaraj, ka theksuar se autoritetet kosovare duhet ta hetojnë individin penalisht. Derisa partia, mund të shpallet antikushtetuese vetëm në rast se faktohet që individi, në këtë rast Radoiçiqi, është avokuar përmes partisë.
“Institucionet në Kosovë e kanë për detyrë të hetojnë dhe ndjekin penalisht secilin që kryen vepra penale që cenojnë rendin kushtetues dhe juridik në Kosovë. Përderisa, shpallja e një partie kundërkushtetuese sipas ligjit në Kosovë mund të arsyetohet vetëm në rastet kur partia politike avokon përdorimin e veprimeve të dhunshme si mjet politik për të cenuar rendin kushtetues dhe juridik dhe për të minuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve të garantuara me Kushtetutë”, u shpreh Miftaraj.
Gazeta Online Reporteri.net ka tentuar të bisedojë edhe me pjesëtarë të Listës Serbe, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka marrë përgjigje.
Më 7 nëntor 2022, deputetët e Listës Serbe i kishin dorëzuar mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës, në vargun e dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.
Muaj më vonë, dhanë betimin deputetët e rinj, të cilët vazhdojnë punën në Kuvend vetëm me raste.
Pas disa muajsh mungese në Kuvend, në fillim të shtatorit kur nisi seanca e parë plenare në Kuvendin e Kosovës, deputetët e rinj të Listës Serbe ishin kthyer vetëm për të siguruar vazhdimin e mandatit. Menjëherë pas fillimit të seancës ata ishin larguar.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, tash deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, tha për Gazetën Online Reporteri.net, se po presin nga autoritetet që të zbardhet i gjithë rasti, dhe të vërtetohet roli i plotë i Radoiçiqit në aksion.
“Po presim ende informata nga Policia e Kosovës, ata po vazhdojnë me hetimin e rastit. Shumë ka rëndësi që ne si qytetarë të Kosovës fillimisht, pastaj si pjesëtarë të partive politike, ta dijmë saktë rolin që e ka pasur Milan Radoiçiq dhe të tjerët në këtë aksion terrorist kundër institucioneve të Kosovës. Edhe pse të gjithë e dimë që asgjë nuk ndodh pa involvimin e Milan Radoiçiqit, por prapë se prapë duhet të presim që të kemi informata nga insitucionet tona, pastaj të shiqojmë çka duhet të ndërmarrim”, u shpreh Qalaj.
“Do të shiqojmë si duhet të veprojmë. Por, është i rëndësishëm një koordinim mes partive politike”, u shpreh tutje Qalaj në pyetjen se a do ta mbështesnin iniciativën për shpalljen kundërkushtetuese të Listës Serbe.
Zëvendëskryetari i Komisionit parlamentar për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, tha për Gazetën Online Reporteri.net se heshtja e Listës Serbe dhe mosdistancimi, flet shumë për rastin e përfshirjes së Radoiçiqit.
“Jemi në pritje të zbardhjes komplet të këtij rasti që ka ndodhur. Jemi duke pritur edhe përfundimin e hetimeve. Operacioni nuk ka përfunduar dhe po vazhdon ende në mbledhjen e dëshmive, sekuestrimin e armëve dhe vendlokacionet ku po dyshohet se ka ende të fshehur armatim dhe dëshmi tjera. Kur të kompletohet i gjithë formacione, se çfarë ka ndodhur, sa kanë qenë të involvuar, kush e kështu me radhë, priten edhe hapat tjerë. Nëse vërtetohet se edhe pjesëtarë tjerë serbë, në krye të kësaj partie, kanë qenë të involvuar me vet faktin se nuk po distancohen nga sulmet që kanë ndodhur, është element shumë domethënës për krejt situatën – kjo e bën më serioze gjendjen sa i përket Listës Serbe”.
Nga Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk janë përgjigjur akoma në pyetjet e dërguara nga Reporteri.net.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfimuar se procesi i hetimeve po vazhdon, dhe ky proces pritet të ofrojë më shumë të dhëna se kush ishin personat e “formacionit profesionist” që sulmoi Policinë e Kosovës. Si hynë ata në Kosovë dhe kur? Gjithashtu, se kush janë urdhërdhënësit dhe dirigjuesit e sulmit.
“Bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer sot dhe që nuk paraqet një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, po ashtu tha se personat në fjalë ishin “grup terrorist”.
Sipas tij, disa nga sulmuesit janë “pjesëtarë të Mbrojtjes Civile” – organizatë të cilën Qeveria e Kosovës e shpalli terroriste.
Më 29 qershor 2023, Qeveria e Kosovës shpalli organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, të cilat veprojnë në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe. Disa nga të arrestuarit në veri, besohet se janë pjesë e këtyre organizatave terroriste.
Dy organizatat numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb.
“Bazuar në vlerësimet e institucioneve të sigurisë së Kosovës, formacionet ilegale ‘Mbrojtja Civile’ dhe komponenti i saj, ‘Brigada e Veriut’, paraqesin kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur më 29 qershor.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e dënoi vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe tha se është i gatshëm të ndërhyjë nëse është e nevojshme.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se i dënon ashpër sulmet “e dhunshme dhe të orkestruara“ ndaj Policisë së Kosovës.
“Ne ende po punojmë për të kuptuar se si dhe kush është përgjegjës dhe pse. Por dua të them, ju keni parë pamjet e pajisjeve ushtarake dhe planet që ishin zhvilluar. Ky nuk ishte një grup i qytetarëve që sponatisht u bënë së bashku për të shprehur shqetësimet e tyre. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture, duke pasur parasysh trajnimin dhe pajisjet. Ne duam që kjo ngjarje të zbardhet dhe ata të mbahen përgjegjës”, tha Hovenier.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson edhe bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ka dënuar sulmin por ka kërkuar vazhdim të dialogut.
Përmes një komunikate, u tha se Borrell “e dënon agresionin në termat më të fuqishëm”. “Përfaqësuesi i lartë, Borrell, përsëriti thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë. Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit”, thuhej në komunikatë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të shtetit, duke u bërë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet.
“Autorët e këtij krimi duhet të mbahen përgjegjës përmes një procesi transparent të hetimit”, tha Blinken.
“Ne u bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensionet, dhe menjëherë të punojnë, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, për shtensionimin e situatës, të ofrojnë siguri dhe sundim të ligjit dhe t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, deklaroi ai.
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet dhe t’i rikthehen dialogut për normalizimin e raporteve. Gjatë bisedës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka dënuar “sulmin e tmerrshëm” të së dielës dhe ka dënuar dhunën ndaj Policisë së Kosovës.
Kodi Penal i Kosovës e cilëson “terrorizëm” ekzekutimin e një apo më shumë akteve të përgjakshme “me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, kushtëzimit të paligjshëm të institucioneve, qeverisë apo organizatave ndërkombëtare, destabilizimit apo shkatërrimit të strukturës politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Kosovës”.
Nëse kryhet një vepër terroriste, atëherë ajo është e dënueshme me jo më pak se 5 vjet burgim, por kur vepra terroriste rezulton me lëndime të rënda trupore të një apo më shumë personave – kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kur vepra terroriste rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me së paku 15 vjet burgim, kurse për ofrimin e ndihmës në kryerjen e veprave terroriste, dënimi shkon deri në 10 vjet burgim. /Reporteri.net/