×
  • Lajme
  • Lajme

    Abdixhiku për vrasjen e 35-vjeçares shtatzënë: Krim mosntruoz, kjo më s’është gjendje normale

    Reporteri
    30 Nëntor 2022 | 20:23
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

    Kreu i Lidhjes Demoratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar për rastin e vrasjes së 35-vjeçares shtatzënë në oborrin e QKUK’së, duke e quajtur këtë krim monstruoz.

    Abdixhiku ka thënë se kjo më s’është gjendje normale, derisa ka ftuar organet e rendit dhe sigurisë të veprojnë me përgjegjësi e pa kompromis ndaj rastit të sotëm, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Sërish një grua, në javën e fundit të shtatzënisë, bëhet viktimë e një krimi monstruoz. Kjo më s’është gjendje normale; e ne nuk mund të normalizojmë vetëm me reagime këtë alarm nacional që na shpërfaqet në mënyrën më çnjerëzore të mundshme para sysh tani nga dy herë në javë.

    Fjalët tani humbin peshën. Asgjë çfarë themi sot nuk kthen prapa jetën e shuar të një gruaje të pambrojtur e jetën e pa nisur të një fëmije. Si prind e familjar ndjej dhimbje dhe mllef për humbjen e trishtë të kësaj mbrëmje. Si pjesë e spektrit politik, ndjej obligimin njerëzor për të luftuar këtë dukuri dhune ndaj gruas që ka marrë karakter nacional tashmë. Ky duhet të jetë misioni ynë parësor sot”, ka shkruar Abdixhiku.

    Rastin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

    Sipas Ahmetit, viktima është 35-vjeçare.

    “Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!