×
  • Lajme
  • Lajme

    Abrashi flet për autostradën Prishtinë-Gjilan, tregon se si po shkojnë punimet

    Reporteri
    26 Gusht 2020 | 20:53

    Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka mbajtur takim me Trupën Drejtuese Ndërministrore për zhvillimin e projekteve të rëndësishme rrugore.


    Në këtë takim ishin të parapara tri pika të rendit të ditës: konstituimi i trupës drejtuese, aprovimi për inicimin e vazhdimit të punimeve në autostradën Gjilan-Dheu i Bardhë dhe aprovimi i procedurave për sigurimin e fondeve për autostradën Prishtinë-Merdare.

    Pas diskutimeve që u zhvilluan, në parim të gjithë ishin pro zhvillimit të këtyre projekteve strategjike për vendin.

    Ministri Abrashi tha se autostrada Prishtinë-Gjilan, është një projekt në vazhdim i iniciuar nga Qeveria e Kosovës, ku aktualisht punimet janë duke u zhvilluar në pjesën e parë dhe duhet vazhdojmë edhe në segmentin e mbetur të planifikuar deri në pikën kufitare Dheu i Bardhë, thuhet në njoftimin për media.

    “Kjo pjesë e mbetur e autostradës do të sigurojë një lidhje dhe lëvizshmëri më të mirë për qytetarët dhe bizneset e Kosovës, e posaçërisht të rajonit të Anamoravës dhe Luginës së Preshevës me Prishtinën dhe korridorin X”, tha Abrashi.

    Ndërsa projekti i vazhdimit të autostradës Prishtinë-Merdare, përfshin segmentin e fundit.

    Ministri tha se kjo rrugë përshkon Kosovën nga Vërmica në Merdare, me një gjatësi totale prej 128 kilometra dhe siguron qasjen e Kosovës në rrjetet rrugore Evropiane, duke përmirësuar lidhjet me vendet e tjera të Ballkanit.

    Pjesë e kësaj trupe janë Ministria e Ekonomisë dhe Ambinetit, që u përfaqësua nga zëvendësministri Muharrem Nitaj, Ministria e Financave nga zëvendësministri Agim Krasniqi, Ministria e Pushtetit Lokal, nga ministri Goran Rakiq dhe kryesuese e Trupës Ministria e Infrastrukturës, nga ministri Arban Abrashi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!