Presidentja Vjosa Osmani është duke shqyrtuar mundësitë ligjore për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë lidhur me ngërçin e krijuar tash e sa muaj.
Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, ka deklaruar për Gazetën Online Reporteri.net se Presidentja po mendon të kërkojë sqarim nga Kushtetuesja për pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit 30 ditor, të përcaktuar në Aktgjykim.
“Presidentja është duke shqyrtuar mundësitë ligjore për t’iu drejtuar Gjykatës me një kërkesë për sqarim të aktgjykimit Aktgjykimi në rastin nr.KO 124/25*, në mënyrë që të qartësohen pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata (pra brenda 30 ditësh)”, ka deklaruar Kupina.
Në adresë të Kushtetuteses janë dërguar edhe dy kërkesa javën e kaluar, nga PDK dhe LDK. Këto dy parti i janë drejtuar Gjykatës lidhur me tri vazhdimet e seancës konstituive pas Aktgjykimit.
Partitë parlamentare nuk po arrijnë të pajtohen për ta konstituuar Kuvendin as pas aktgjykimit të Kushtetueses. Sot ka dështuar përpjekja e 44’të për konstituim. E propozuara e Vetëvendosjes për Kryetare Kuvendi vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar para gati dy javësh që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.
Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi.
Rezultat nuk prodhoi as një takim që kreu i VV-së, Albin Kurti pati të para gati dy javësh me krerët e partive të tjera parlamentare.
Në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje, u angazhua sërish presidentja Osmani. Osmani i priti sot një javë Kurtin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj – në përpjekje për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga kriza institucionale.
Në takim, Osmani u bëri thirrje liderëve që “sa më shpejt”, apo brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrijnë pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit, tha Presidenca në një komunikatë pas takimit./Reporteri.net/