Kosova, të paktën deri në këto momente, ende nuk dihet saktë a do të futet në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë. Ndonëse, me procedura urgjente, një gjë e tillë mbase do të ishte e mundur, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi, që ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës përgjatë votimit në Këshill të Evropës, në një deklaratë për gazetën online Reporteri.net ka thënë se në rast se një nga shtetet do të merrte iniciativë që në formë rezolute të votohej me procedura urgjente për Kosovën, një gjë e tillë do të ishte e mundur.
“Janë disa procedura, psh, nëse në formë të rezolutës e merr si iniciativë njëri nga shtetet, psh, Franca, Italia ose Gjermania, dhe votohet, mundet edhe të hyjë me procedura urgjente në agjendë”, u shpreh deputetja Musliu Shoshi.
Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha sot se përmes një letre ka njoftuar Këshillin e Evropës, se Kosova po përgatit një draft-statut rreth Asociacionit.
“Po flasim për një zotim për të përgatitur një draft-dokument. Nuk po flasim as për një dokument të gatshëm, as një dokument të dorëzuar diku”, tha Gërvalla sot gjatë një konference.
Disa orë para kësaj konference, Gërvalla njoftoi se kishte informuar Këshillin e Evropës se Kosova mëton të përgatisë një draft-statut dhe ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim në fund të muajit.
Musliu Shoshi, u shpreh se Qeveria e Kosovës po përgatit një draft rreth të cilit nuk është dakorduar në marrëveshjen e Ohrit.
“Është një problem, drafti që është dorëzuar nuk është drafti për të cilin është dakorduar Albin Kurti në marrëveshjen e Ohrit. Pra, ky mund të jetë një draft i ri, i cili nuk është i pranueshëm për aleatët tanë ndërkombëtarë”, u shpreh deputetja nga radhët e PDK-së.
Zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha sot se letra e dërguar sot në Byronë e Këshillit të Evropës është ripërsëritje e premtimit që kryeministri Kurti ka dhënë me 18 mars 2023 në Ohër, e me 2 maj 2023 në Bruksel, kur ka ofruar gatishmërinë për të shkruar një draft-statut për Asociacionin bazuar në nenin 7 ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023).
“Oferta e parë e kryeministrit Kurti ishte me tri shtylla që duhej të dakordoheshin paraprakisht (I. Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga 23 dhjetori 2015; II. qëndrimi evropian i znj. Federica Mogherini më 24 gusht 2015; dhe, III. qëndrimi amerikan i zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar më 30 janar 2023)”, shkroi Kryeziu në Facebook.
Gazeta online Reporteri.net ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili po ashtu ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në Këshill të Evropës, por ai nuk ka qenë i qasshëm.
Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, tha sot se nuk pret që Kosova të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë.
Kjo, me gjithë faktin se Kosova tha të enjten se i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se është duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
“Mendoj se letra ka ardhur pak me vonesë”, thotë Knaus, i cili ka përcjellë nga afër rrugëtimin e Kosovës drejt KiE-së.
“Por, mendoj se vendet anëtare duhet të thonë se e mbështesin nismën e Kosovës dhe duhet të bëjnë thirrje për një samit të jashtëzakonshëm së shpejti – me shpresë brenda disa javësh”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Ambasada e Gjermanisë, sot gjatë ditës, në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net tha se Kosova është dashur ta dërgojë Asociacionin në Kushtetuese para takimit të KiE-së.
“Sipas nesh, dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese para takimit të Komitetit do të ishte një hap i tillë. Siç ka thënë ambasadori [gjerman në Kosovë, Jorn] Rohde në postimin në X pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: ‘Kosova tani duhet të bëjë punën e vështirë’. Kjo nuk ka ndodhur”, tha Ambasada gjermane për Reporteri.net.
Në anën tjetër, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk ka dashur të komentojë veprimin e fundit të Qeverisë së Kosovës e cila njoftoi Këshillin e Evropës se po përgatit draft-statut për Asociacionin.
Në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net, ka thënë se nuk ka më shumë komente rreth çështjes përveç atyre që i ka thënë i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Vendimi final për pranim në Këshill të Evropës merret nga Komiteti i Ministrave që takohet më 16 dhe 17 majt. Kosova nuk është futur në agjendë të takimeve në Strasburg./Reporteri.net/.