×
  • Lajme
  • Lajme

    AGK dënon ashpër kërcënimin e biznesmenit Latif Kryeziu ndaj Bekim Kabashit

    Reporteri
    13 Mars 2020 | 11:19

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pas kërcënimit të biznesmenit, Latif Kryeziu, ndaj drejtorit të Gazetës Online “Reporteri.net”, Bekim Kabashi, si rrjedhojë e publikimit të artikullit “Pikat e karburanteve SHELL Kosova nuk shesin derivate të gjigantit holandez ‘SHELL’“.


    Me anë të një postimi në faqen e tyre zyrtare, AGK kanë bërë të ditur se kanë pranuar me shqetësim njoftimin se biznesmeni, Latif Kryeziu, ka kërcënuar drejtorin e Gazetës Online “Reporteri”, Bekim Kabashi.

    AGK konsideron se ky rast është tejet serioz dhe përbën kërcënim të rrezikshëm për lirinë e medieve dhe integritetit fizik të gazetarëve.

    Sipas tyre është tejet shqetësuese dhe e papranueshme përfshirja dhe presioni ndaj familjes së gazetarit, për ç’gjë duhet të merren urgjentisht organet e rendit dhe drejtësisë.

    AGK bën thirrje sërish që kushdo qe mund të ketë pretendime ndaj shkrimeve të realizuara nga gazetarët, t’i ndjekin rrugët ligjore dhe asesi të përdorin gjuhë kërcënuese.

    Kujtojmë se kërcënimi ndaj drejtorit të Gazetës Online Reporteri.net, erdhi katër ditë pas raportimit se pikat e karburanteve SHELL Kosova nuk shesin derivate të gjigantit holandez “SHELL”.

    Pronari i ‘AL Petrol’, Latif Kryeziu, i shoqëruar edhe nga një person tjetër kanë shkuar në shtëpinë e Bekim Kabashit. Kryeziu ka lënë një porosi tek prindërit e Kabashit.

    Drejtori i Reporterit, Bekim Kabashi mbrëmë rreth orës 20:00 ka denoncuar rastin në polici, përkatësisht tek Departamenti i Krimeve të Rënda i Policisë së Kosovës.

    Mirëpo, gjatë ditës së sotme policia e Kosovës ka tentuar të fshehë kërcënimin që është bërë ndaj Kabashit, duke mos e përfshirë fare rastin në raportin e tyre 24, orësh, pavarësisht se denoncimi është bërë mbrëmë rreth orës 20:00.

    Ky është postimi i tyre i plotë:

    PRISHTINË, 13.03.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me shqetësim ka pranuar njoftimin se biznesmeni, Latif Kryeziu ka kërcënuar drejtorin e Gazetës Online “Reporteri”, Bekim Kabashi.

    Siç raporton Reporteri, më 12.03.2020 rreth orës 19:00, Kryeziu ka kërcënuar gazetarin Kabashi përmes mesazhit në “Whatsapp” me fjalët “Mjer ju çka keni me përjetu”, dhe kanë shkuar në shtëpinë e Kabashit në Rahovec, ku kanë bërë presion te prindërit e tij.

    Sipas gazetës online “Reporteri” ky rast ka ndodhur si rrjedhojë e publikimit të artikullit “Pikat e karburanteve SHELL Kosova nuk shesin derivate të gjigantit holandez ‘SHELL’“.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës konsideron se ky rast është tejet serioz dhe përbën kërcënim të rrezikshëm për lirinë e medieve dhe integritetit fizik të gazetarëve. Për më tepër, për AGK është tejet shqetësuese dhe e papranueshme përfshirja dhe presioni ndaj familjes së gazetarit, për ç’gjë duhet të merren ugjentisht organet e rendit dhe drejtesisë.

    AGK bën thirrje sërish që kushdo qe mund të ketë pretendime ndaj shkrimeve të realizuara nga gazetarët, t’i ndjekin rrugët ligjore dhe asesi të përdorin gjuhë kërcënuese.

    AGK inkurajon gazetarët që të mos zbrapsen nga kërcënimet e tilla ndërsa rastet e pengimit në punën e tyre profesionale t’i lajmërojnë gjithsesi edhe në polici./Reporteri/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!