Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka folur pas takimit me Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj takim ky që erdhi pas rritjes së madhe të rasteve në kryeqytet.
Pas takimit u bë e ditur se nuk është ndërmarrë ndonjë vendim tjetër për kryeqytetin, siç u paralajmërua në media, por se janë pajtuar për shtim të mbikëqyrjes dhe dënime për ata që nuk i respektojnë masat, shkruan Reporteri.
Ahmeti ka thënë se Komuna nuk është e interesuar për karantinë e restriksione shtesë, mirëpo ka përsëritur se se nëse nuk respektohen masat mund të detyrohen të shkojnë drejt një vendimi të tillë.
“Qëllimi i takimit është që të punojmë bashkë që të mos ketë restriksione shtesë, nuk jemi të interesuar ta bëjmë karantinën, ta reduktojmë orarin, por kjo varet vetëm nëse jemi në koordinim me qytetarët. Është një krizë e re që ka ardhë në Evropë që ka me i dërgu drejt mbylljes, krejt Evropa është kah shkon nga mbyllja. Dje e pardje kemi shtim të rasteve dhe jemi të brengosur. U kishim lutë të punojmë bashkë, mos të na detyrojnë që tash të bëhemi më inspektorë se inspektorat. Mos ta detyrojmë Ministrinë që të kemi restriksione shtesë, nuk jemi të interesuar për këtë. Ju lus të na dëgjoni që ta kalojmë këtë krizë”, u shpreh Ahmeti. /Reporteri.net