×
  • Lajme
  • Lajme

    Ahmeti sqaron propozimin e tij: Çerdhet të hapen të parat, kafenetë dhe të hiqet karantina

    Reporteri
    23 Maj 2020 | 8:33

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka kërkuar që sa më shpejt të hapen çerdhet dhe kafeteritë të fillojnë punën e plotë. Ai ka kërkuar që të mbyllet karantina në Qendrën e Studentëve.


    Ai në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se sugjerimi i tij është që çerdhet të hapen të parat. Sipas tij, nuk ka më kuptim që të që ta mbajmë ekonominë të mbyllur për shkak të vetëm dhjetë rasteve, sepse numri i të infektuarve nuk i arsyeton më këto masa.

    “Sugjeroj që çerdhet të jenë të parat që hapen, jo që ka dallim të madh të shkollave por meqenëse njerëzit punojnë ka filluar hapja e kompanive. Po ashtu,  siç kanë vendos edhe shtetet skandinave të Evropës, njëherë janë hapur  klasat 1-5 ku edhe mundësia e përhapjes së virusit është më e vogël, ku na jep kohë që ngadalë të rihapim krejt Kosovën”, tha ai.

    Kryetari Ahmeti ka thënë se tashmë duhet të mbyllet edhe karantina në Qendrën e Studentëve sepse më nuk ka nevojë për një karantinim të tillë.

    “Kam kërkuar që nuk ka kuptim ta mbajmë QS në karantinë. Një pjesë e madhe e qytetarëve po dalin si shkak të arsyeve të ndryshme. Tash duhet t’i kthehemi masat që kemi pasur në fillim, dikush kur vjen ta ketë vetizolimin e detyruar, ta nënshkruaj një formular që të qëndrosh i vetëizoluar në shtëpi për aq periudhë sa thonë mjekët. Nuk ka nevojë për një karantinë të tillë”, tha Ahmeti.

    Kryetari Ahmeti gjithashtu ka thënë se është shumë e nevojshme që kafenetë të hapen sa më para për shërbim të plotë.

    “Janë dy gjëra të cilat duhet t’i kuptojmë, nuk mjafton me thënë hape për take aëay sepse nuk e kanë qarkullimin e njëjtë si gjithmonë. Kur i ke masat ku qytetarët nga 2 orë me dal atëherë nuk ka myshteri si duhet. Pa hapjen e tyre më të plotë nuk do ta ketë efektin e njëjtë sa i përket qëndrueshmërisë ekonomike”, tha ai.

    Ahmeti është shprehur se nuk ka më kuptim që ta mbajmë ekonominë të mbyllur për shkak të vetëm dhjetë rasteve, sepse numri i të infektuarve nuk i arsyeton më këto masa.

    “Kam kërkuar që masat të lehtësohen në tempo më të shpejt për shkak se mendoj numri i të infektuarve nuk arsyeton më këto masa. Për më shumë është çështja se në pjesë të madhe nuk po respektohen nga qytetarët dhe është bërë vështirë implementimi i tyre, siç është orari i lëvizjes ku më shumë njerëz po dalin”.

    “Të bëjmë menaxhimin më të fokusuar, t’i mbrojmë njerëzit e moshuar, ata që janë më sëmundje kronike e të filloj hapja graduale e çerdheve dhe klasave të para, kurse fokusin ta kemi që nëse dikush është i infektuar ta izolojmë. Kemi 10 raste aktive, nuk ka kuptim që krejt ekonominë ta mbajmë mbyllur për shkak të dhjetë rasteve”, ka thënë i pari i Prishtinës.

    Ai ka thënë se Komuna e Prishtinës ka punuar në parandalimin e përhapjes së Coronavirusit dhe tu ndihmojë qytetarëve edhe ekonomikisht.

    “Ne kemi pasur rolin që të zbatojmë vendimet e nivelit qendror dhe natyrisht të plotësojmë hendeqe aty ku janë. Në momentin kur dikush  testohet edhe nëse del pozitiv ose negativ, ne e kemi marrë detyrën që t’i ndihmojmë atyre në vetizolim”.

    “Sigurohemi që nuk dalin, nuk infektojnë tjerë. Ideja ka qenë që ta ndalim përhapjen e sëmundjes, t’i dalim  në ndihmë atyre që kanë nevojë qoftë një aspektin ekonomik e shëndetësor dhe të bëhemi gati për pjesën e pasojave ekonomike”, shtoi Ahmeti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!