Pas një aksioni të sotëm të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Ndërmarrjen Publike “Pallati i Rinisë” janë arrestuar dy persona.
Kjo është konfirmuar nga Prokuroria Speciale për Gazetën Online Reporteri.net ku në përgjigjen e tyre thuhet se të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me keqpërdorimet e detyrës zyrtare.
“Ju informoj se me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është duke u zhvilluar një aksion në Ndërmarrjen Publike “Pallati i Rinisë”. Deri më tani kemi të ndaluar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me Keqpërdorimin e detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për Reporteri.net.
Për aksionin, Ndërmarrja Publike “Pallati i Rinisë” ka dalë edhe me një komunikatë për media ku thuhet se janë në bashkëpunim dhe se kanë ofruar të gjitha të dhënat e kërkuara.
Tutje ata thonë se qasja e plotë në Pallat do të vazhdojë me qëllim të lehtësimit të hetimeve.
“Bordi i Drejtorëve të NPL “Pallati i Rinisë” Sh.A. në përgjigje të hetimit të nisur nga njësia e krimeve ekonomike, informojmë opinionin publik se jemi duke bashkëpunuar plotësisht me autoritetet përkatëse. Ne kemi ofruar dhe do të vazhdojmë të ofrojmë qasje të plotë në Pallat, si dhe kemi hapur të gjitha të dhënat tona sipas kërkesave të tyre. Qasja jonë e plotë dhe e hapur ndaj procesit hetimor do të vazhdojë, me qëllim lehtësimin e hetimit dhe ndriçimin e çdo aspekti të rëndësishëm”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
/Reporteri.net/