Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sot ka ngritur një aktakuzë ndaj të pandehurës D. D., për veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.
Sipas Prokurorisë e pandehura D. D., me datë 29 tetor 2014, përmes pikës kufitare Hani i Elezit ka kaluar në Republikën e Maqedonisë, me paramendim, me dashje që t`i bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS”, në Siri.
Pas kalimit të Republikës së Maqedonisë, nga Aeroporti i Shkupit ka vazhduar rrugën në drejtim të Stambollit të Turqisë.Tutje, sipas njoftimit të Prokurorisë, pas Turqisë ka përfunduar në qytetin Sedel Faruk në Siri, ku edhe është pritur nga burri i saj B. S., nga Shkupi, luftëtar i ISIS-it.
“E pandehura D. D., është trajnuar nga burri i saj për përdorimin e pushkës automatike dhe është angazhuar në pikëpamje logjistike në përgatitjen e ushqimit, pastrimin e rrobave ushtarake”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Njoftimi i Prokurorisë, thotë se e njëjta është financuar nga ISIS për shumën e të hollave nga 100 -150 dollar në muaj, si dhe me pako ushqimore. Pas vdekjes së bashkëshortit të saj, pas martesës me personin e quajtur D. S., pjesëtar i ISIS-it, ka qëndruar dhe vepruar edhe më tutje në zonat e konfliktit në Siri, e që edhe në muajin dhjetor të vitit 2018, përgjatë kufirit me Turqinë është arrestuar nga forcat demokratike siriane ku edhe me datë 19.04.2019, e njëjta është riatdhesuar në Kosovë.
Me këto veprime e pandehura D.D., dyshohet se ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.