Dy ditë pas vrasjes dhe pesë të plagosurve në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë, të shtëna me armë ka pasur edhe mesditën e sotme.
Në pamjet e publikuara nga Gazeta Online Reporteri.net, shihet se si një person ia drejton armën në kokë një punëtori të një picerie.
Pas kacafytjes, personi me armë shtënë për toke.
Lidhur me rastin, nga Policia e Kosovës kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net se s’ka të lënduar.
Madje në përgjigjen e tyre nuk përmendet të jetë arrestuar personi që shihet në video me armë.
“Sot rreth orës 14:20, kemi marrë informatën për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën ‘Gazmend Zajmi” në Prishtinë.
Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nuk ka persona të lënduar”, tha Flora Ahmeti për Reporteri.net.
Në vendin ku dhe ndodhi rasti, në rrugën “Gazmend Zajmi”, e njohur si lagjja “Aktash”, shihet edhe gëzhoja e plumbit nga arma me të cilën dyshohet se shtiu personi i cili shihet në videon e publikuar.
Të dielën, pas një breshërie plumbash mes dy familjeve, Sekiraqa dhe Capat (Gashi), një anëtar i familjes të kësaj të fundit mbeti i vrarë.
Policia ka arrestuar pesë persona të përfshirë në rast e që të njëjtit ndodhen në QKUK për tretman mjekësor pas lëndimeve të marra, ndërsa është në kërkim të personave tjerë të përfshirë.
Zejnullah Gashi, Kryeprokuror i Prishtinës ka thënë dje për Gazetën Online Reporteri.net se të dyja familjet kanë pasur konflikt edhe më herët, në muajin mars, ku një anëtar i familjes Capat pati mbetur i plagosur.
Në raportin 24 orësh, Policia ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe sekuestruar dy pistoleta dhe një karikator me dy fishekë në rrugën “Gazmend Zajmi” në kryeqytet.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net, sot gjatë ditës se ka parashtruar kërkesë në Gjykatën e Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të dyshuarve të ndaluar të cilët ndodhen aktualisht në QKUK ku dhe sot është mbajtur seanca dëgjimore.
/Reporteri.net/