Që nga fillimi i gjysmëvjetorit të dytë, në shkollat e Komunës së Prishtinës me COVID-19 janë infektuar 19 mësimdhënës, 50 nxënës dhe një punëtor teknik.
Vetëm në dy shkolla të kryeqytetit është duke u zhvilluar mësimi online si pasojë që kanë rezultuar mësimdhënës e nxënës pozitiv me COVID-19.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën Prishtinës, Shpresa Shala thotë se ka rënie të numrit të të infektuarve me koronavirus brenda shkollave të Prishtinës.
Shala thotë se procesi mësimor në këtë gjysmëvjetor është duke shkuar më mirë sesa ai i kaluari, megjithatë deklaron se ka rënie të cilësisë në arsim si pasojë e pandemisë COVID-19.
“Kjo periudhë ka filluar pak më mirë pasi që e kemi pasur përvojën e periudhës së parë dhe e kemi bërë një analizë se çka ka shkuar mirë dhe çka jo, në fakt të gjitha shkollat e kanë bërë të njëjtën bashkë me DKA-në dhe tashmë mësimi është duke shkuar më mirë. Për momentin i kemi 19 mësimdhënës, një staf teknik dhe 50 nxënës të infektuar nëpër shkolla të ndryshme, të cilat në rast se një nxënës është pozitiv në një klasë atëherë klasa shkon në mësim online, por si shkolla komplet e kemi vetëm shkollën ‘Nazim Gafurri’ klasa 1 deri në 5 janë online dhe shkolla në Hajvali klasa 6 deri në 9”, thotë Shala për kp.
Shala thotë se gjendja shëndetësore e të prekurve me COVID-19, sipas informacioneve që i kanë, është e mirë dhe se nuk kanë komplikime.
Po ashtu Shala bëri të ditur se sot dhe nesër do të mbahet një trajnim me drejtorët e shkollave të kryeqytetit, e që për qëllim ka vlerësimin e përformancës së shkollës.
Pas këtij trajnimi, Shala tha se shkollat nga e hëna do të fillojnë vlerësimin e përformancës dhe nxjerrjen e dobësive brenda shkollave.
Përkundër që Shala vlerëson që mësimi me orar të shkurtuar e me klasë të ndarë në dy grupe nuk është shumë efektiv, thotë se kthimin në normalitet do ta bëjnë vetëm kur të marrin një rekomandim të tillë nga IKSHPK-ja.
“Ne gjithmonë punojmë me rekomandime të IKSHPK-së dhe në momentin që ata na lirojnë masat dhe thuhet që duhet të kthehemi me të gjithë nxënësit në klasë, ne jemi të gatshëm të kthehemi dhe jemi të vetëdijshëm që është shumë më mirë të kthehen të gjithë nxënësit. Por, përderisa kemi rekomandime nga ta dhe nga MASH që nuk mund të kthehen të gjithë nxënësit ne i respektojmë të gjitha ato masa”, deklaroi ajo.
Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, thotë se vazhdon të jetë problematike mbajtja e mësimit online për shkak të mungesës së pajisjeve teknologjike, megjithatë thotë se mësimdhënësit dhe nxënësit tashmë janë aftësuar që t’i përdorin platformat online.
Sa i përket furnizimit të shkollave me dezinfektues e me maska, Shala thotë se qëndrojnë mirë dhe të gjithë përgatitjet i kanë bërë gjatë pushimit dimëror.
Gjysmëvjetori i dytë këtë vit për shkak të pandemisë COVID-19 ka filluar me 18 janar.