Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë seancës së votimit të mocionit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në mënyrë të tërthortë bënte përgjegjëse SHBA’në për zhvillimet duke thënë se një seancë e tillë për rrëzimin e tij nga pushteti është si rezultat i përpjekjeve për arritjen e një marrëveshje sekrete për të cilën Thaçi dhe Vuçiq janë pajtuar në Washington.
Megjithatë tashmë gjuha e Kurtit pas rrëzimit është ashpërsuar edhe më tepër. Ai tashmë është i drejtpërdrejtë. Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës në një intervistë për dy gazetarë boshnjak ka akuzaur në mënyrë të drejtpërdrejtë emisarin e Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, se ka dorë në prishjen e qeverisë që udhëhiqte.
Një deklaratë e tillë e Kurtit ka zënë faqet e mediave me të mëdha të botës.
Prestigjiozja amerikane “New York Times” në titull ka vendosur “ Kryministri i Kosovës akuzon emisarin e SHBA’së për rrëzimin e qeverisë së tij”.
Artikullin e gazetës amerikane e ka shpërndarë ndërkohë edhe faqja zyrtare e Lëvizjes Vetëvendosje në llogarinë zyrtare në twitter.
Një deklaratë e tillë e Kurtit ndaj emisarit të Trumpit ka rënë edhe nën llupën e gazetës londineze “The Guardian”.
“Kryeministri në detyrë i Kosovës akuzon të dërguarin e Trumpit për ndërhyrje”, është titulli i prestigjiozes nga Britania e Madhe, raporton Gazeta Express.
Një deklaratë e tillë e Kurtit është bërë lajm edhe në “Euronews”.
“Kryeministri i Kosovës thotë se i dërguari amerikan është përfshirë në rrëzimin e qeverisë së tij”, është titulli i “Euronews”.
Që nga marrja e postit të kryeministrit, raportet mes Kurtit dhe administratës amerikane kanë shkuar duke u përkeqësuar. Refuzimi i Kurtit për heqje të taksës pa kushte shtesë, ka shtyrë partnerin e koalicionit që t’i organizojë në Kuvend një mocion mosbesimi i cili u përkrahë nga 2/3 e deputetëve në Kuvend.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonin se nuk dëshirojnë të qëndorjnë në një qeveri anti-amerikane.
Ndërkohë Kurti ka vazhduar me deklarime e tij kundër Amerikës. Në një intervistë për një media kosovare teksa ka arsyetuar masën e tij të reciprocitetit dhe kërkesën amerikane për heqje të një mase të tillë ka thënë se Kosova nuk është në kufi me Meksikën.
Ndërkohë në një letër-këmbim me emisarin e BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, Kurti ka thënë se Evropa s’mund të zëvëndësohet nga asnjë kontinent tjetër meqenëse sipas tij e ardhmja e Kosovës është pikërisht në Evropë.
Lidhur me deklarime të tillë të Kurtit mbrëmë ka folur edhe Kujtim Shala i LDK’së. Ai ka thënë se deklarime të tilla janë të papranueshme, siç janë të papranueshme edhe deklarimet dhe sulmet e presidentit Hashim Thaçi ndaj Bashkimit Evropian.