×
  • Lajme
  • Lajme

    Albin Kurti e gjuan gurin dhe e fsheh dorën: Pasi zbuloi dokumente sekrete, ia lë në dorë Kuvendit

    Reporteri
    26 Shkurt 2020 | 14:26

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur për  marrëveshjen e vitit 2013 të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit me Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Kurti ka thënë se atë ditë, në fakt u nënshkruan dy marrëveshje, ku Kosova dhe Serbia në Bruksel patën nënshkruar marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve. Dokumenti ishte nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.


    Kurti ka thënë se në Kosovë ishin të njoftuar vetëm për një marrëveshje, atë të Brukselit, shkruan Reporteri.net.

    Sipas tij fshehja e kësaj marrëveshje përbën shkelje flagrante me të cilën duhet të merren organet kompetente. Kurti ka thënë se opinioni ligjor mbi marrëveshjen tashmë i është shpërndarë të gjithë deputetëve dhe se mbetet në duar të tyre që të vendosin për hapat që do të ndërmerren.

    “Ky shkëmbim i letrave si duke u bazuar në fshehjen  e një marrëveshje të tillë, ku ne kemi menduar se ka vetëm një marrëveshje, e që na dolën dy konsiderojmë se është shkelje flagrante me të cilën duhet të merren organet kompetente. Nesër në mëngjes unë kam takim me komandantin e KFOR-it. Shqetësimi jonë ka të bëjë me një zotim të njëanshëm të ish kryeministrit Thaçi. Kur është ratifikuar marrëveshja që ne e quajmë Thaçi-Daçiq deputetët nuk e dinin se ka pasur dy marrëveshje, jo vetëm një. Sot 4 vjet kur presidenti u pat zgjedhur nuk është ditur se ai ka me vete edhe një marrëveshje të tillë sekrete. Ky opinion ligjor tashmë i është shpërndarë të gjithë deputetëve dhe ne si qeveri e re do ti analizojmë  dhe publikojmë letrat e marrëveshjet e tilla. Marrëveshja është mbajtur fshehtë, bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare, tash e kanë 120 deputetë opinionin ligjor dhe letrën time. Nuk është se ne do të ndërmarrim veprime por duhet ta bëjmë transparente për ligjvënësit dhe qytetarët. Është në dorën e deputetëve që të mund të marrin hapa të tjerë”, është shprehur Kurti ndër të tjera.

    Ai ka thënë se do të vazhdojë që të insistojë për takim me presidentin në mënyrë që të koordinohen për politikën e jashtme.

    “Sot jemi në ditëlindjen e Adem Demaçit, por kjo ditë shënon edhe katër vjetorin e presidencës. Në konferencën e Munihut unë jam përpjekur që ta takoj për t’u koordinuar në politikën e jashtme. Dialogun me Serbinë do ta përgatisim mirë dhe me parime por atë e udhëheqë unë si kryeministër, por politika e jashtme nuk është vetëm Serbia, për çka unë insistoj se duhet të jemi njëzëri me presidentin”, u shpreh Kurti. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!