Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas vdekjes së 18 vjeçares, e cila dyshohet se është keqtrajtuar nga dy të rinj.
Përmes një shkrimi në Facebook, Haxhiu ka shkruar se dhuna e këtyre përmasave duhet të mobilizojë institucionet e policisë, prokurorisë e gjykatave, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net“.
Shkrimi i saj i plotë:
Dje nga mediat mësuam se një tjetër dhunim ndaj një vajze të re 18 vjeçare ka përfunduar me fatalitet.
Dhuna e këtyre përmasave është alarm që duhet të mobilizojë institucionet e policisë, prokurorisë dhe gjykatave, t’i trajtojnë me prioritet e me seriozitetin maksimal rastet e dhunimit, kurse dhunuesit të vihen përballë drejtësisë.
Inkurajimit të qytetarëve për të raportuar dhunën, duhet t’i përgjigjemi me veprime konkrete, në gjetjen e dhunuesve dhe sjelljen e tyre përpara drejtësisë.
Është e domosdoshme të veprojmë, pa vonesa, e me përkushtim maksimal.
Cenimi i lirisë, qoftë përmes ngacmimeve seksuale, shantazheve e deri te dhuna ndaj grave apo kujtdo tjetër, është e papranueshme dhe si e tillë duhet të trajtohet, pa kompromis ndaj dhunës, e me dënimin e merituar ndaj dhunuesve.
Ky fenomen duhet të luftohet pareshtur. Dhuna nuk mund të normalizohet, si rrjedhojë duhet të dënohet ashpër.
/Reporteri.net/