Ambasada e SHBA’së në Prishtinë ka vlerësuar lartë punën e gazetës online Reporteri.net dhe rezultatet e mediumit përfitues të grantit të Ambasadës për mediat e pavarura në Kosovë.
“Të lumtur t’i shohim rezultatet nga përfituesi i Ambasadës, Reporteri, për trajnimin e gazetarëve të së nesërmes dhe të rinjve tjerë nga komunitetet e margjinalizuara, veçanërisht duke u fokusuar se si të identifikohen burimet e besueshme të informacionit, verifikimi i fakteve, të menduarit kritik, etikën në raportim dhe sigurinë online. Ky projekt u mundësua përmes një granti që mbështet mediat e pavarura në Kosovë”, thuhet në postimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, i shpërndarë në faqen e tyre zyrtare në Facebook.
Ambasada e SHBA’së, në këtë postim, ka rishpërndarë edhe pamjet nga trajnimi grupit të tretë të të rinjve të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, mbi Edukimin Medial. Trajnim ky i zhvilluar të shtunën në Prizren kuadër të projektit “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial për komunitetet joshumicë në Kosovë” – i financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, me grant për gazetën online Reporteri.net. Mbi gjysma (50%) e pjesëmarrësve në trajnimin e fundit ishin vajza dhe gra.
Deri më tani, në kuadër të projektit “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial për komunitetet joshumicë në Kosovë” janë trajnuar gjithsej rreth 70 të rinjë të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Prej tyre, 32 ishin gra/vajza – rreth 45% të pjesëmarrësve.
Trajnime deri më tash janë organizuar në tre rajone të ndryshme të Kosovës. Në Prizren, në Ferizaj me pjesëmarrës edhe nga Shtimja, si dhe në Lipjan me të rinjë edhe nga Fushë-Kosova. Trajnimet do të vazhdojnë edhe gjatë muajit shkurt, në Prishtinë e Gjakovë.
Gjysma e pjesëmarrësve vajza në trajnimin në Prizren mbi Edukimin Medial
Gjatë këtij procesi, 6 nga kandidatët më të suksesshëm që dalin nëpërmjet një gare të hapur dhe transparente gjatë zhvillimit të trajnimeve në 5 rajone të ndryshme të Kosovës, do të përzgjidhen për të kryer punë praktike në mediat dhe organizatat partnere të projektit.
Ky projekt financohet me grant nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë për Gazetën Online Reporteri.net (R Media L.L.C). Projekti implementohet në partneritet me median “Front Online” dhe Institutin për Hulumtime “iFront”.