Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ndërsa është shprehur i mahnitur nga rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë, ka deklaruar se në Kosovë ekziston një dëshirë e madhe për t’iu dhënë rastin Kurtit e Osmanit për ta formuar qeverinë e re.
Kosnett tha se i njeh mjaft mirë Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin dhe se është takuar shumë herë me ta, para dhe pas zgjedhjeve.
“I njoh Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin mjaft mirë tashmë dhe mendoj se është e qartë që në Kosovë ekziston një dëshirë e madhe për t’iu dhënë rastin për ta formuar qeverinë dhe për ta udhëhequr vendin dhe mendoj se ata kanë vizion e energji dhe kjo është kohë shumë emocionuese për Kosovën. Jam takuar me ta shumë herë, përfshirë edhe pas zgjedhjeve”, ka deklaruar ai në T7.
I pyetur lidhur me deklarimet e Kurtit se dialogu me Serbinë nuk do të jetë top-prioritet, Kosnett i ka dërguar një porosi kreut të Vetëvendosjes.
“Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë gjatë 20 viteve të shkuara. Nuk ka pikë dyshimi në këtë. Kur zoti Kurti thotë, në rregull, dialogu, politika e jashtme, do ta lëmë atë pak më poshtë – përvoja ime është se bota nuk pret. Një qeveri amerikane e ka thënë këtë në të kaluarën., tha Kosnett, kur u pyet se Kurti nuk e ka prioritet dialogun me Serbinë.
Ai ka shtuar se ka biseduar me Kurtin lidhur me çështjen e dialogut.
“Po dhe e kam thënë privatisht dhe publikisht se, e them sërish, se duam të kemi marrëdhënie bashkëpunuese. Duam të dëgjojmë e jo vetëm t’ju flasim, por t’i dëgjojmë partnerët tanë në Kosovë dhe në Serbi, në rajon për çështje si dialogu, si integrimi ekonomik rajonal. Pra, dëshirojmë që të ecim përpara me mendje të hapur, e në këtë aspekt kemi thënë, Sekretari i Shtetit Blinken ka thënë se nuk do të hedhim poshtë tërë punën që është bërë për Ballkanin nga administrata paraprake. Duam t’i rishikojmë me kujdes, t’i rimendojmë dhe të mbajmë atë që e vlen për të mbajtur.