Analistët: Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon pas konsolidimit të Administratës Biden

Tavolina e Dialogut Kosovë – Serbi, tash e disa javë nuk i ka bashkuar palët. Bashkimi Evropian thotë se takimi do të ndodh sapo të krijohen kushtet. E njohësit e çështjeve politike thonë se mosmarrëveshjet mes palëve dhe pritja e administratës Biden, janë disa nga arsyet e stopimit të këtij procesi.


Dialogu Kosovë – Serbi, tash e disa javë është bllokuar dhe ende nuk dihet se kur do të fillojë. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, në një përgjigje për RTV Dukagjinin, ka thënë që ky proces do të fillojë kur të krijohen kushtet, por nuk ka dhënë ndonjë datë të caktuar.

“Takimi i ardhshëm i Dialogut të Nivelit të Lartë do të thirret në Bruksel sa më shpejt që të lejojnë kushtet. Kur bëhet fjalë për takime të nivelit të ekspertëve, ne do të shpallim datën dhe agjendën e takimit të ardhshëm kur është e përshtatshme”, deklaroi Peter Stano.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se arsyeja e mosvazhdimit të dialogut ka të bëjë me mospajtimet mes palëve.

“Duket se ka një ngecje apo pezullim të dialogut për shkak të mos dakordësimit mes palëve se si të ecet përpara kur kemi parë që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është rikthyer në tryezë. Derisa nuk kemi një dakordësim mes palëve duket se do të kemi një pezullim të tillë të dialogut”, deklaroi Jeta Krasniqi.

Drejtori i Gazetës Online “Reporteri.net”, Bekim Kabashi thotë se BE po e pret konsolidimin e administratës Biden, e më pastaj të fillojë dialogun Kosovë – Serbi në koordinim me SHBA-në.

“Janë dy gjëra që ripërcaktojnë fillimin e këtij dialogu. E para është konsolidimi i administratës së re amerikane, e cila në këtë rast në krye me Bidenin do të jetë në një linjë me Bashkimin Evropian sa i përket zgjidhjes së problemeve në rajonin tonë. Por më e rëndësishme është qeveria që ka pësuar një goditje pas largimit të presidentit”, deklaroi për Bekim Kabashi.

Kosova dhe Serbia kanë marrë përsipër që të përmbushin zotimet e nënshkruara në Uashington, por BE nuk pajtohet me disa nga pikat e kësaj marrëveshejeje, siç është çështja e zhvendosjes së ambasadave në Jerusalem.