×
  • Lajme
  • Lajme

    Analisti Vogel: Amerika pret marrëveshje sa më shpejt që ta shpallë Kosovën mision të përfunduar

    Reporteri
    30 Maj 2020 | 9:04

    Toby Vogel, ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, thotë se SHBA-ja do marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që ta shpallë misionin e përfunduar dhe të tërheqë trupat nga Kosova.


    Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se administrata Trump dhe presidentët Thaçi dhe Vuçiq janë protagonistët kryesorë që mbështesin shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.

    Vogel thotë se Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në largim, Albin Kurti, do ta ketë të vështirë të bindë SHBA-në dhe BE-në se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm për të.

    “Para së gjithash nuk dua të komentoj një vendim të Gjykatës Kushtetuese sepse nuk jam ekspert i kushtetutës. Jo domosdoshmërisht i kuptoj të gjitha ndërlikimet ligjore këtu. Por, ajo që mund të them është se kur qytetarët e Kosovës kanë dalë në zgjedhje vitin e kaluar, ata kanë votuar Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, bazuar në pritjet se ato do të formojnë qeverinë nëse zgjidhen.

    Tani LDK-ja ka vendosur të tërhiqet nga marrëveshja [e koalicionit] dhe në aspektin e legjitimitetit politik, situata e krijuar kërkon zgjedhje të reja. Ky është këndvështrimi im personal dhe jo një analizë ligjore, jo një analizë kushtetuese.

    Unë e kuptoj që Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Kurti, nuk e pranojnë këtë vendim, në kuptimin politik. Megjithatë, mendoj se do ta kenë shumë të vështirë për ta bindur Bashkimin Evropian dhe sidomos Shtetet e Bashkuara për pikëpamjet e tyre. SHBA-ja, në fakt, ka ndihmuar për ta bindur LDK-në që të largohet nga koalicioni qeverisës me kryeministër Kurtin, për arsyet e veta. Dhe tani, BE-ja dhe SHBA-ja bëjnë thirrje për përmbajtje, për respektimin e vendimit [të Gjykatës Kushtetuese]”, është shprehur ai.

    Ai po ashtu ka thënë se urgjenca për vazhdimin e dialogut vjen nga pala amerikane.

    “Unë do ta përjashtoja idenë se dialogu është çështja më urgjente, sepse ky dialog ka vazhduar e është ndërprerë për gati një dekadë tashmë. Nuk mendoj se një muaj më herët ose një muaj më vonë është problem i madh. Urgjenca vjen nga pala amerikane. Amerikanët duan marrëveshje sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që ta shpallin misionin të përfunduar dhe të tërheqin trupat nga Kosova.

    Kjo do të ishte një fitore në politikën e jashtme për presidentin [amerikan, Donald] Trump. Do të ishte justifikim personal për Richard Grenellin [të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi], i cili duket se është përfshirë tani në fushatën për rizgjedhjen e Trumpit. Kjo është ajo që vërtet qëndron pas ndjenjës së urgjencës”, u shpreh ai.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!