Dy pistoleta dhe një karikator me dy fishekë janë gjetur dhe sekuestruar në rrugën “Gazmend Zajmin” në Prishtinë, nga rasti i së dielës ku një person mbeti i vrarë dhe pesë të tjerë të plagosur.
Policia ka thënë sot se armët dhe karikatori janë gjetur gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit policorë.
“Lidhur me rastin, gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar dy pistoleta dhe një karikator me dy fishek”, tha Policia.
Një person ka mbetur i vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur mbrëmjen e së dielës në lagjen “Aktash” në Prishtinë.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, rasti ka ndodhur pas përleshjes mes dy grupeve si pasojë e mosmarrëveshjeve të mëhershme.
Këto dy grupe, dyshohet se janë familja Sekiraqa dhe familja Gashi (të njohur si Capat).
Nga të shtënat me armë më 1 shtator, i vdekur mbeti Premtim Gashi, ndërsa pesë të plagosurit janë nën masën e ndalimit, mes tyre edhe Salih Sekiraqa.
Pesë të dyshuarit janë ndaluar nga prokuroria, ndërsa janë në kërkim edhe të dyshuarë tjerë që janë të përfshirë në përleshjen mes dy familjeve, Sekiraqëve dhe Capave, por që janë ende të paidentifikuar.
Rasti del të jetë vazhdimësi e një konflikti në muajin mars të këtij viti, i ndodhur pikërisht mes tyre, ku pati mbetur i plagosur një anëtar i familjes Gashi.
Kjo është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nga Kryeprokurorit i Prishtinës, Zejnullah Gashi.
“Mund të konfirmoj që janë personat po familjet e njëjta që kanë qenë edhe në një rast të muajit mars”, tha Gashi për Gazetën Online Reporteri.net.