×
  • Lajme
  • Lajme / Provat materiale

    “Armë, municion, maska, kompjuterë e telefona”, Policia tregon çka u konfiskua në shtëpitë e të dy të arrestuarve për spiunazh

    Reporteri
    06 Qershor 2024 | 9:06

    Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën në Ferizaj dy persona të cilët dyshohen për spiunazh dhe bashkëpunim me Shërbimin Sekret të Serbisë “BIA”-n.

    Siç raportoi gazeta online Reporteri.net, të arrestuarit janë Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të dy të nacionalitetit shqiptar.

    Policia, në raportin 24 orësh ka dhënë detaje për këto arrestime. Siç bën të ditur policia, gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gasmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.

    Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

    “Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorinë Speciale, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për veprën penale spiunazhi me datë 05.06.2024 kanë realizuar operacion një policor për kontrollin e dy lokacioneve në qytetin e Ferizajit. Gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gasmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera. Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

    Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e spiunazhit hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

    Dënueshmëria minimale për këtë vepër është 5 vjet burg, kurse maksimale është 12 vjet. /Reporteri.net/

    Cilat janë dënimet për ata që kryejnë spiunazh, sipas Kodit Penal të Kosovës

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!