Albiona Tasholli, asambliste e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Lipjanit, ka reaguar pas arrestimit të babait dhe vëllait të saj, Skender dhe Albion Tasholli, të cilët po dyshohen për veprat penale “Shtytja në vetëvrasje” dhe “Fajdeja”, shkruan Reporteri.net.
Në reagimin e bërë në Facebook, Albiona Tasholli shprehet e bindur se babai dhe vëllai i saj janë të pafajshëm në këtë rast.
“Edhe pse situata e fundit është shqetësuese, unë jam PLOTËSISHT E BINDUR NË PAFAJSINË E PRINDIT DHE VËLLAUT TIM. Jemi të pastër para Zotit dhe do të dëshmohemi të pafajshëm edhe para ligjit.
E vërteta, pa dyshim që do të dalë në dritë. “Ndërkohë që përjetoj presion psikologjik nga mediat me akuza të rreme, betohem se do të vijë dita kur do të ballafaqohem edhe me ju para organeve të drejtësisë!” Gjithsesi, mendoj që nuk duhet të flitet fjala e fundit e para! Sqarimi im i fundit për këtë rast! Po jemi të pafajshëm”, ka shkruar ajo në Facebook.
Skender dhe Albion Tasholli u arrestuan mbrëmë pas një aksioni në rajonin e Prishtinës, si të dyshuar për fajde dhe shtytje në vetëvrasje të një 37-vjeçari në Lipjan.
Gazeta Online Reporteri.net raportoi paradite se Skender dhe Albion Tasholli janë babë e bir nga Lipjani, babai dhe vëllai i asamblistes së LDK-së, Albiona Tasholli.
Albiona Tasholli ka lidhje të afërta me kryetarin aktual të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti.
@reporterimedia Ngjarja tronditëse në Lipjan: Dy të arrestuarit për fajde dyshohet se e shtynë në vetëvrasje 37-vjeçarin #Lipjan #kosovatiktok🇽🇰🇦🇱❤️ #kosove #lajmifundit #lajmeshqip #lajmetefundit #foruyou #fyppppppppppppppppppppppp ♬ original sound – Reporteri.net
Madje, asamblistja e LDK-së shpeshherë është parë edhe afër kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Lidhur me rastin, Policia është në kërkim edhe të një personi të tretë, i cili dyshohet se është i përfshirë në rast.
“Një mashkull kosovar, ka raportuar se ka vërejtur një person që dyshohet pa shenja jete. Njësitet relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalur në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Lidhur me rastin në koordinim me prokurorin dhe me urdhër të gjyqtarit është bërë bastisja në dy lokacione të ndryshme, ku në shtëpinë e të dyshuarit mashkull kosovar gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar disa dokumente, ndërsa në lokacionin e dytë në shtëpinë e dy të dyshuarëve meshkuj kosovarë nuk është gjetur asgjë e dyshimtë që ndërlidhet me rastin. Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari i tretë pasiqe nuk është hasur në shtepi gjendet në kërkim policor”, thuhet në njoftimin e Policisë.