×
  • Lajme
  • Lajme / Të gjitha detajet

    Arrestimi i kryeshefit të KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, në Bullgari – krejt çka dihet deri më tani

    Reporteri
    02 Mars 2024 | 8:48

    Gazeta Online Reporteri.net ishte media e parë që raportoi ditën e djeshme për arrestimin e kryeshefit të KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore.

    Nuk vonoi shumë dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konfirmoi për gazetën online Reporteri.net, se kryeshefi i KRU “Gjakova” Hasan Krasniqi, është ndaluar më 19 shkurt në Bullgari.

    “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës konfirmon se në mbështetje të informatave zyrtare të pranuara nga Ministria e Jashtme e Republikës së Bullgarisë, shtetasi i Republikës së Kosovës (H.K)  është ndaluar më datën 19 shkurt, 2024 në Pikën e kalimit të kontrollit kufitar ‘Gyushevo. Shtetasi i Republikës së Kosovës është ndaluar pasiqë i njëjti supozohet të jetë person i kërkuar nga Interpoli”, thuhet në konfirmimin e MPJD-së për Reporteri.net.

    Nga KRU “Gjakova”, deklaruan se Krasniqi është në pushim vjetor.

    “Kryeshefi është t’u e shfrytëzu pushimin vjetor. Nuk kam informacion më shumë për këtë çështje. Është duke u shfrytëzu pushimin vjetor, nuk ka pse me u lajmëru. Nuk kam informacion zyrtar. Ka nja 5-6 ditë.”, ka thënë Dafina Syla-Dina nga KRU “Gjakova” për Express.

    Ndaj kryeshefit të KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqit, i cili është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Policia italiane për dyshimet për trafikimin me qenie njerëzore, më 2023 ishte ngritur aktakuzë ndaj tij edhe nga Prokuroria Themelore e Gjakovës.

    Prokuroria Themelore e Gjakovës kishte ngritur aktakuzë kundër Hasan Krasniqit, kryeshef i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

    Tritan Hamitaj, avokat i kryeshefit të KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqit, ka pretenduar se shkak i arrestimit të klientit të tij janë disa persona që kanë pretenduar se janë sportistë dhe që kanë udhëtuar me kompaninë e Krasniqit, nuk janë kthyer më në Kosovë pas udhëtimit jashtë shtetit.

    Avokati Tritan Hamitaj në një komunikatë për media, ka pretenduar se autoritetet italiane të drejtësisë kanë vërejtur se marrja e vizave nga sportistët kishte parregullsi për shkak se disa prej tyre nuk kanë qenë pjesëtarë të ekipit dhe qëllimi i pajisjes me viza ka qenë për migrim.

    Gjykata bullgare ka arsyetuar vendimin e saj për paraburgosjen e kryeshefit të KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi.

    Në vendimin që e ka siguruar gazeta online Reporteri.net, Gjykata e Qarkut në Kruystendil ka njoftuar se ndaj Krasniqit ekziston një urdhërarrest evropian i lëshuar nga Italia në janar të këtij viti.

    Sipas gjykatës bullgare, veprat e përshkruara gjithashtu cilësohen krime sipas Kodit Penal të Bullgarisë, për të cilat parashikohet dënimi me “burgim”.

    Sipas Gjykatës, ai është akuzuar për tri vepra penale: lehtësimi i migrimit të jashtëligjshëm me bashkëpunim, përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dhe falsifikimi i dokumenteve zyrtare nga një person privat.

    “Duke pasur parasysh mungesën e vendbanimit dhe lidhjet e përhershme me Republikën e Bullgarisë, gjykata vlerëson se ekziston rreziku i arratisjes së tij. Gjykata, për të siguruar mbarëvajtjen e procedurës aktuale të ekstradimit, për të kufizuar lëvizjen e tij, vlerësoi se duhet të marrë masën e paraburgimit deri në përfundimin e procedurës për dorëzimin e të kërkuarit”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Qarkut Kryustendil.

    Urdhërarresti ndërkombëtar ndaj tij është lëshuar në qytetin e Barit, në Itali, një muaj më parë, përkatësisht më datë 16 janar 2024.

    Kryeshefi i KRU “Gjakova” dyshohet për tri vepra penale “lehtësimi i migrimit ilegal me bashkëpunim”, “përdorimi i dokumenteve false” dhe “falsifikimi i dokumenteve zyrtare nga një person privat”, merr vesh gazeta online Reporteri.net.

    Atij, me kërkesë të Prokurorisë së Qarkut Kyustendil në Bullgari, një Gjykatë e Qarkut bullgare, më 22 shkurt 2024, i ka caktuar masën e paraburgimit, deri në vendosjen rreth kërkesës së autoriteteve italiane për ekstradimin e tij në Itali, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Dyshimet janë se Krasniqi, që ka në pronësi edhe një kompani transporti udhëtarësh me autobus nga Gjakova drejt vendeve të Evropës, dyshohet se përmes saj ka kontrabanduar njerëz me dokumente të falsifikuara. Rrjedhimisht, sipas autoriteteve italiane, 57 vjeçari nga Gjakova është i implikuar në tre vepra të ndryshme penale.

    Atij, një gjykatën e qarkut bullgare, më 22 shkurt 2024, i ka caktuar masën e paraburgimit, deri në vendosjen rreth kërkesës së autoriteteve italiane për ekstradimin e tij në Itali, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Edhe nga PDK kanë reaguar për arrestimin e Krasniqit, ku deputeti Hajdar Beqa, e ka ripublikuar lajmin e gazetës online Reporteri.net me mbishkrimin “krejt dhe drejt”.

    Pas raportimeve ekskluzive nga gazeta online Reporteri.net për arrestimin e tij, ka reaguar edhe kryetari i Rinisë së LDK-së, Paris Guri.

    Ai ka thënë se Vetëvendosje pati premtuar se do ta bëjë Dubravën me 12 kat dhe ka shtuar se tashmë mund t’ia shtojnë edhe një.

    “Katin e 12 në Dubravë qe e pati premtuar, është mirë me e bo pavion të Vetevendosjes, Ridi, Nagipi, Besnik Mujeci e kta. Nderkohe qitjani pllaken edhe per katin e 13, le te gjindet aty edhe per Martinin, Rozeten e kta”, ka shkruar Guri në Facebook.

    Ndryshe, Hasan Krasniqi, tre muaj pasi si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Komunën e Gjakovës kishte dështuar të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur asamblist, në janar të 2022-tës, nga Bordi i ri i emëruar nga Qeveria e Kosovës ishte zgjedhur kryeshef në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.

    Me ligjin për Ndërmarrjet Publike parashihet që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit.

    Megjithatë, në vitin 2014 deri në 2017, Krasniqi kishte qenë për një mandat brenda Asamblesë në Gjakovë nga radhët e partisë Alternativa – partia e shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila. Por, sikurse në vitin 2021 me LVV, edhe në vitin 2017 me Alternativen ai kishte dështuar të rizgjidhej asamblist./Reporteri.net/.

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!