Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka arrestuar dy persona në Pejë dhe Klinë, të dyshuar për veprat penale të mashtrimit dhe shantazhit përmes sistemeve kompjuterike.
Në një komunikatë të lëshuar për media, thuhet se njëri nga ta, ka përdorur rrjetet sociale me të dhëna të rreme, ku pastaj ka arritur të mashtrojë një vajzë, e cila i ka dërguar atij para përmes unioneve financiare, kështu duke i shkaktuar dëm financiar mbi 80 mijë dollarë amerikanë, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkërendim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, ka realizuar një aksion në dy lokacione në Pejë dhe Klinë, ku ky aksion është zhvilluar pas hetimeve disa mujore me dyshimin se persona të dyshuar janë duke kryer veprat penale të mashtrimit dhe shantazhit përmes sistemeve kompjuterike (internetit). I dyshuari kryesor në këtë rast ka përdorur rrjetet sociale duke përdorur emër dhe fotografi personale të rrejshme, me qëllim të zhvatjes financiare i dyshuari ka arritur të mashtroj viktimën e cila i ka dërguar atij para përmes unioneve financiare. Të dyshuarit me veprimet e tyre kanë vënë në lajthim dhe kanë mashtruar viktimën duke I shkaktuar dëm me vlerë mbi 80 mijë dollarë amerikanë”, thuhet në komunikatë.
Tutje, bëhet e ditur se ky aksion është zhvilluar pas hetimeve disa mujore, ku gjatë kontrollimit në dy lokacionet, është sekuestruar një veturë, dëshmi të transaksioneve nga unionet financiare, dy telefona mobil, dy revole, tetë copë municion dhe një maskë.
Po ashtu, thuhet se lidhur me rastin pas marrjes në pyetje, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh.
/Reporteri.net/.