×
  • Lajme
  • Lajme

    Arsimtarja që akuzohet për kërcënime e tortura ndaj nxënësve thotë se është parimore

    Reporteri
    11 Nëntor 2019 | 16:06

    Arsimtarja e Historisë në Shkollën “Emin Duraku” në kryeqytet, Afërdita Misini, po akuzohet se i ka ofenduar dhe kërcënuar me jetë nxënësit e kësaj shkolle. Vetë ajo e mohon një gjë të tillë. Drejtori i Shkollës thotë se nuk kanë asgjë kundër mësimdhënëses në fjalë, por se janë kundër torturimit të nxënësve. Ndërkohë, DKA-ja deklaron se për të njëjtën ka pasur edhe më herët ankesa të tilla, por se Gjykata i ka obliguar ta kthejnë në punë.


    Oborri i Shkollës Fillore “Emin Duraku” në kryeqytet, ishte i mbushur plot me prindër mëngjesin e sotëm. Ata ishin bërë bashkë për të penguar një mësimdhënëse të kësaj shkolle që të futet në objekt.

    Bëhet fjalë për arsimtaren e historisë, Afërdita Misinin, e cila ushtron profesionin e mësimdhënëses qe 25 vjet. Prindërit po e akuzojnë Misinin se po abuzon me fëmijët e tyre dhe se i ka kërcënuar me jetë.

    Vetë Misini e mohon se ka përdorur dhunë ndaj nxënësve të kësaj shkolle.

    Thotë se në këtë shkollë është kthyer me vendim të gjykatës.

    “Nuk jam ajo që përdori dhunë ndaj tyre. Kam fituar me shkallën e dytë të Inspeksionit të Punës, kam fituar në bashkëpunim me Inspeksionin e Arsimit ku i kanë gjetë dëshmitë… tjetra kam fituar me gjykatë”, thotë Misimi.

    Ajo deklaron se asnjëherë nuk ka kërcënuar fëmijët, derisa shton se pavarësisht se Këshilli i Prindërve e kundërshton atë, ajo do të vazhdojë të shkojë në shkollë.

    “Unë jam mësimdhënëse jo e vështirë por principiele… Po do të vazhdoj se fëmijët i kam prapa”, ka thënë Misini për T7.

    E përveç nxënësve, ankesa për Misinin ka edhe menaxhmenti i shkollës.

    Drejtori i Shkollës, Agron Mexhuani, i ka thënë Gazetës Express se me mësimdhënësen në fjalë ka probleme edhe ai vetë, derisa thotë se atë nuk e ka parë sot në vendin e punës.

    “Unë s’mund të komunikoj me të sepse ajo më tepër bërtet edhe s’ka mundësi të komunikohet me të”, thotë Mexhuani.

    Ai deklaron se ata nuk kanë asgjë kundër mësimdhënëses në fjalë, por se janë kundër torturave që u bëhen nxënësve.

    “Ne nuk kemi asgjë kundër mësimdhënëses në fjalë, por jemi kundër torturave që iu bëhen drejtpërsëdrejti nxënësve dhe prindërve, ofendimeve në mënyrat të nivelit më të ulët, që mund t’i ketë një mësimdhënës siç është fjala për mësimdhënësen Afërditë”, thotë ai.

    Mexhuani thotë se prapë kanë dorëzuar një ankesë në Komunë dhe se tash janë në pritje të një vendimi nga instancat më të larta.

    “Përgjegjësi po besoj që duhet të marrin instancat më të larta, pra Ministria e Arsimit, përkatësisht inspektorët e arsimit, gjykata e cila ka rikthyer pa i marr në konsideratë ankesat e askujt. Ne e kemi dërgu ankesën e kanë dërgu edhe prindërit, tash të shohim si do të shkojë puna”, ka deklaruar Mexhuani për Express.

    Në Komunën e Prishtinës deklarojnë se ata po merren me rastin.

    Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, i ka thënë Gazetës Express se ata janë duke u marrë me rastin dhe se kanë dalë në vendin e ngjarjes për të parë nga afër ankesat e nxënësve.

    Sipas Shalës, përveç nxënësve, probleme me mësimdhënësen në fjalë ka edhe drejtori i shkollës.

    “Drejtoria e Arsimit është duke u marrë me rastin dhe ka dalë në vendin e ngjarjes për të verifikuar gjendjen dhe për të parë nga afër ankesat e nxënësve. Javën e kaluar drejtori i shkollës e ka raportuar një problem që e ka pasur me mësimdhënësen në fjalë, disa fyerje që mësimdhënësja i ka bërë drejtorit”, tregon ajo.

    Shala deklaron se për shkak të shkeljeve, Misini ishte larguar nga Shkolla “Pjetër Bogdani”, për t’u transferuar më pas në Shkollën “Emin Duraku”, ku sërish do të përballej me të njëjtat ankesa.

    “Edhe këtu pas ankesave menaxhmenti i shkollës, prindërit dhe nxënësit, komisioni disiplinor në nivel komunal e ka larguar nga puna për moskryerjen e punëve dhe detyrave që parashihen në kontratën e punës dhe disa shkeljeve”, thuhet në përgjigjet e Shalës drejtuar Gazetës Express.

    E pavarësisht ankesave, e para e DKA-së deklaron se në gusht të këtij viti, ata kanë pranuar vendim nga gjykata me të cilin obligoheshin që ta kthejnë në vendin e punës.

    Ndryshe, Zijavere Krasniqi, kryetare e këshillit drejtues të kësaj shkolle, tha se po e presin një vendim të shpejtë lidhur me mësimdhënësen në fjalë.

    “Sot jemi mbledhur një pjesë e prindërve si shenjë pakënaqësie për DKA-në, faktikisht edhe për gjykatën që nuk po e merr vendimin e duhur, vendim të suspendimit të arsimtares të historisë. Ende nuk kemi marrë përgjigje prej DKA-së, po e presim që po e merr një vendim të duhur edhe të shpejtë. Në të njëjtën kohë i bëj thirrje gjykatës të marrin me seriozitet shumë të madh këtë çështje se nuk është e lehtë”, ka thënë ajo.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!