×
  • Lajme
  • Lajme

    Arsyet ‘sekrete’ për shkarkimin në mesnatë të Avdullah Hotit

    Reporteri
    26 Mars 2020 | 17:09

    Pak para mesnatës, e një orë pas shkarkimit nga Kuvendi të Qeverisë Kurti, kryeministri në largim, Albin Kurti ka shkarkuar mbrëmë zëvendësin e tij të parë Avdullah Hoti. Por, cila është arsyeja?


    Nëse për shkarkimin e Agim Veliut, Albin Kurti dha dhjetëra arsyetime, për Avdullah Hotin nuk po thotë asnjë fjalë.

    Ajo që dihet e që e kemi parë përmes një vendimi që u nxor mbrëmë, pak para mesnatës, është se zëvendëskryeministri i parë u shkarkua nga kryeministri në largim, shkruan Reporteri.net.

    Por, dokumenti që u publikua menjëherë online, nuk shpjegon asnjë arsyeje se çka çoi Kurtin deri te ky vendim, që përveç arbitrar, duket edhe ‘hakmarrje’ ndaj LDK-së që arriti të bindë 82 deputetë të Kuvendit se Qeveria Kurti duhet shkarkuar.

    Para shkarkimit, Hoti në seancën e votimit të mocionit të mosbesimit nga Qeverisë së Kosovës, kritikoi ashpër Kryeministrin në shkuarje, duke e quajtur edhe bolshevik dhe anti-amerikan.

    “Tonet bolshevike që vinin nga dhomat partiake LDK nuk i pranon kurrsesi”, ka thënë ai.

    “Është e papranueshme që ne të rrimë në Qeveri e partneri ynë feston kur investitorët amerikanë ikin nga Kosova”.

    Përveç tjerash, Hoti e akuzoi Kurtin se shkarkimin e Veliut e kishte bërë edhe për të marrë vendime autoritare në qeveri, pasi pa të tani i kishte shumicën e votave.

    “Mocioni është i mbështetur në dy parime: nuk mund të ketë qeveri demokratike e cila shkatërron raportet me SHBA-në. Le te bëhemi të sinqertë se pa SHBA-në është të pamundshme të ruajmë paqen në rajon. Dhe e dyta. Në qeverinë e Kosovës të vitit 2020 nuk ka vend për autokraci. Në LDK mendimin e kemi vlerë e jo antivlerë e kufizim për veprim”, deklaroi Hoti.

    Por se Kurti dhe njerëzit e tij kanë ‘një hall’ të madh me Avdullah Hotin u pa qysh dje, kur zëvendëskryeministri tjetër në largim, Haki Abazi, paralajmëroi të ‘hapë’ një dosje ndaj Hotit. Përkundër se tha se do ta bëjë pasi të kalojë situata me COVID-19, Abazit nuk iu prit më, dhe pikërisht sot u morr me ish-kolegun e tij zëvendëskryeministër.

    Krejt çka tha, në një shkrim të gjatë në facebook, duken më shumë si teori konspirative, të cilat Abazi duket se i ka merak t’i trajtojë, ndaj edhe një deputet i LDK-së në Kuvend në seancën e së mërkurës ia kujtoi se anëtari i VV-së gjoja pretendon se është ‘Mason’, shkruan Reporteri.net.

    “Në karrierën time 20-vjeçare nëpër vende të ndryshme të botës nuk kam takuar njeri të këtillë. Mbështetës e përkrahës i Thaçit dhe servil si brisku, i paepur, që të trishton edhe në distancë. Përgjatë 50-ditëve të punës së kësaj qeverie, Hoti nuk ka dhënë asnjë kontribut, përpos tentimit të përditshëm për t’u përplasur me Minstrat e LVV dhe për të krijuar tension e shkaktuar arsye për konflikt”, shkruan ndër tjera Abazi për Avdullah Hotin.

    Nga ana tjetër, zëdhënësi i Qeverisë së shkarkuar, Përparim Kryeziu, ka thënë sot se Kryeministri në shkuarje Albin Kurti nuk a ka ndërmend t’i shkarkojë ministrat tjerë të LDK-së, siç veproi me tashmë ish-zëvendëskryeministrin që vinte nga kjo parti.

    Megjithatë, as Kyeziu nuk dha ndonjë arsyeje se pse ka ndodhur mbrëmë ky shkarkim, menjëherë pas seancës në të cilën u rrezua pas 50 ditësh qeverisje, Qeveria Kurti.

    Por, ka diçka ironike në shkarkimin e Hotit!

    Derisa Albin Kurti e akuzonte ish-ministrin e Brendshëm se në mesnatë ka folur për gjendje të jashtëzakonshme, vetë Kryeministri në largim në mesnatë mori ketë vendim, ashiqare hakmarrës. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!