Kompania Artmotion, lidere në përkrahjen e sportit dhe talenteve në Kosovë, ka marrë përsipër të luaj rol të theksuar edhe në zhvillimin e sportit të ragbit, duke mbështetur organizimin e turneut ndërkombëtar “Rugby Europe 7’s Conference 2”, i cili do të mbahet nga 20 deri më 22 qershor 2025 në Kampin Nacional të Hajvalisë, në Prishtinë.
Për herë të parë, Kosova do të jetë mikpritëse e përfaqësueseve kombëtare në ragbi të Sllovenisë, Estonisë, Sllovakisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, San Marinos dhe Malit të Zi, duke shënuar një moment historik për sportin në vend.
Me angazhimin e saj për të promovuar sportin dhe zhvillimin e komunitetit, Artmotion ofron mbështetje teknike për rrjetin e internetit gjatë këtij turneu, në bashkëpunim me Federatën e Ragbit të Kosovës.
Sipas Artmotion, kjo iniciativë synon të rrisë shikueshmërinë dhe ndërgjegjësimin për ragbin në Kosovë, ta promovojë imazhin e Kosovës si një mikpritëse e denjë e ngjarjeve ndërkombëtare sportive, të angazhojë komunitetin vendor dhe diasporën, si dhe të inkurajojë të rinjtë për t’iu afruar sportit dhe stilit të shëndetshëm të jetesës.
“Ragbi në Kosovë po ngjitet në një nivel të ri për here të pare, dhe Artmotion është krenar të jetë në ballë të këtij rrugëtimi, duke kontribuar në forcimin e pasionit dhe frymës sportive në vend.
“Sporti bashkon, inspiron dhe ne në Artmotion jemi të përkushtuar të mbështesim çdo iniciativë që nxit zhvillimin dhe entuziazmin për sportin në Kosovë.”